Ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht në bujqësi. Ngjarjet ekstreme të motit kanë sjellë mungesa të frutave dhe perimeve në disa vende të Europës.
Teksa Spanja po vijon të regjistrojë temperatura të larta, në disa qytete po ndikon në furnizimet ushqimore. Raftet e supermarketeve kishin boshllëqe të mëdha edhe në muajin shkurt, kur shitësit me pakicë racionalizuan produkte të caktuara si domatet, specat dhe kastravecët. Mungesa i ka rritur ndjeshëm çmimet e frutave dhe perimeve të freskëta.
Spanja u përfshi vitin e kaluar nga një thatësirë ekstreme dhe me shumë gjasë, sipas meteorologëve, nëse moti vijon në këto ritme do të ketë një tjetër episod të dytë thatësire, që mund të çojë në furnizime gjithnjë e më të pakta me ushqime.
Nga ana tjetër, një fillim Maji i ftohtë dhe me shira në Britaninë e Madhe ka nxitur gjithashtu probleme me rritjen e perimeve dhe frutave. Kultivuesit britanikë janë përballur gjithashtu me sfida të motit, për shkak të mungesë së ditëve me diell.
Fermerët gjithashtu janë shprehur se kjo do të ndikojë edhe në ekonominë e tyre. Konsorciumi Britanik i Shitjes me Pakicë ka thënë se kushtet e vështira të motit në jug të Evropës ndërprenë vjeljen për disa fruta dhe perime.
Shumë prodhues të sallatave në Mbretërinë e Bashkuar vonuan mbjelljen duke i shtyrë ata të përdorin gjithnjë e më shumë ngrohje artificiale, e cila është rritur ndjeshëm që pas agresionit rus në Ukrainë. Kjo gjë shkaktoi disa mungesa në furnizimin e brendshëm dhe çoi në boshllëqe në raftet e supermarketeve.
Ekspertët shprehen se çdo reduktim prej 1% në rrezet e diellit barazohet me një ulje prej 1% në rendimentin e të korrave. Pranvera tepër e ftohtë në Britaninë e Madhe ka bërë që shumë fermerë të vonojnë vendosjen e disa bimëve të reja në tokë. Shoqata e Kultivuesve Lea Valley, e cila prodhon tre të katërtat e kastravecëve dhe specave të Britanisë, tha se 40 nga 80 kultivuesit e saj vendosën të mos mbjellin perime për shkak të shqetësimeve se do të përballeshin me humbje financiare.
Vitin e kaluar fermerët në Mbretërinë e Bashkuar paralajmëruan se mund të ketë mungesë speci dhe kastraveci në pranverë, sepse supermarketet nuk po paguanin mjaftueshëm.
Klan News