Mungesa e fuqisë punëtore

Kohët e pasigurta të pandemisë Corona kanë sjellë lëvizje në tregun e punës. Kush fiton, kush humb? Disa kanë humbur e disa kanë përfituar nga kjo krizë.

Rënia ekonomike në kohën e pandemisë Corona ka dëmtuar në mënyrë masive shumë sektorë të ekonomisë gjermane, që ka rezultuar edhe me largimin e shumë njerëzve nga puna. Kamarierët e dikurshëm tani kanë gjetur punë në ndonjë supermarket, punojnë si postjerë apo bartës paketash ose në logjistikë. Këto të dhëna konfirmohen në një studim të bërë nga Instituti IW në Këln, të publikuar ditën e hënë. Gjatë kohës së mbylljeve dhe izolimeve, shumë punonjës i kanë kthyer shpinën edhe turizmit. Në vitin 2020, rreth 216.000 njerëz kanë kërkuar një punë më të sigurt gjatë pandemisë.

Tregtia me pakicë është dëshmuar si një fushë ku kanë gjetur punë shumë punonjës që kanë ikur nga fusha të tjera si hoteleria apo turizmi. Pothuajse 35.000 punonjës të laguar nga gastronomia kanë gjetur një punë të re në shitje, për shembull, si arkëtarë. Ajo që fillimisht ishte menduar si një zgjidhje e përkohshme në shumë raste është shndërruar në një opsion të përhershëm – ndër të tjera ndoshta edhe për shkak të orarit të punës më miqësor për familjet. Rrjetet e dyqaneve Aldi dhe Lidl e kanë nxitur këtë trend me ofertat fitimprurëse. Prej muajsh ata kanë reklamuar oferta me paga fillestare prej të paktën 14 euro për një orë – që është shumë më e lartë sesa paga minimale e ardhshme prej 12 euro, sa do të jetë në tetor, të paktën për të rinjtë.

Kush ndërron vendet e punës?

Sipas studimit, rreth 27.000 njerëz kanë kaluar nga gastronomia në industrinë e transportit dhe logjistikës. Pothuajse i njëjti numër ka kaluar edhe në menaxhimin e korporatave, për shembull si sekretarë. Sipas studimit, megjithatë, nuk janë vetëm punëtorët që punojnë me pagesa minimale ata që largohen nga punët në hotelieri. Sipas studimit, nga qershori 2020 deri në qershor 2021 janë larguar nga këto punë rreth 60.000 punonjës – një rënie prej 10,3 për qind. “Në asnjë fushë tjetër profesionale rënia nuk është kaq e lartë”, analizojnë autoret, Anika Jansen dhe Paula Risius. Në këto fusha vërehet më së shumti ikja e punëtorëve. Madje edhe bizneset shumë të preferuara dikur në këtë fushë po detyrohen të mbyllen ose të marrin ditë shtesë pushimi, thotë Thomas Geppert, Drejtor i Shoqatës Gjermane të Hoteleve dhe Restoranteve në Bavari.

Kur perspektivat e punës ishin shumë më të errëta, njerëzit u riorientuan dhe gjetën vende të tjera pune. “Gjatë krizës Corona, siguria mund të jetë bërë edhe më e rëndësishme për shumë njerëz”, thotë autorja e studimit Paula Risius. Por një rol edhe më të madh kanë luajtur faktorët e ashtuquajtur më të butë, si orari fiks i punës, i cili mund të kombinohet më lehtë me jetën private. Kompanitë që kërkojnë punëtorë duhet të bëhen më tërheqëse – d.m.th. të përmirësojnë përputhshmërinë e punës me turne dhe familjes.
“Megjithatë, kjo nuk do ta zgjidhë në tërësi problemin e mungesës së punëtorëve të kualifikuar”, tha Risius. Politikanët duhet të promovojnë më mirë imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Hoteleria dhe aeroportet janë aktualisht sektorë, ku po kërkohen më së shumti punëtorë, pas heqjes së masave të pandemisë Corona. Përfaqësuesit dhe lobuesit e këtyre fushave po kërkojnë edhe lehtësimin e kushteve për ardhjen e fuqisë punëtore nga vendet jo anëtare të BE-së. Problemet e mëdha me mungesën e fuqisë punëtore po shihen këto ditë në veçanti në aeroportet gjermane, ku ka pritje të gjata, vonesa dhe anulime të mijëra fluturimeve./DW

Lexo gjithashtu

Trump fiton në Nevada

Ish-Presidenti merr të gjithë delegatët Një tjetër fitore spektakolare dhe e paprecedentë për Donald Trump në zgjedhjet paraprake…
Më tepër
Total
0
Share