“Mund të shtohen masat sanksionuese ndaj Kosovës”, thirrjet e ShBA-së dhe BE-së për qeverinë pas “veprimeve të pakoordinuara” në veri

Zhvillimet e fundit në veri, si mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë, si dhe diskutimi për hapjen e Urës së Ibrit kanë zemëruar aleatët kryesorë të Republikës së Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën të zhgënjyera me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara të lidershipit të Kosovës, ndërsa në anën tjetër, sot Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se mund të shtojë masat për Kosovën për “veprimet e njëanshme negative”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ditë më parë një aksion i zhvilluar i Policisë së Kosovës mbylli nëntë degë të Postës së Serbisë në veri. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha se Kosova po i vë në rrezik edhe mundësitë që ShBA-ja e ka ndihmuar t’i krijojë.

Miller ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të që të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë.

“Jemi të shqetësuar nga vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e tyre të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, që është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën ju keni rënë dakord”.

“Dhe kështu ajo që ne do të inkurajonim Qeverinë e Kosovës që të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe ne ia kemi bërë të qartë – siç po e bëj të qartë publikisht, ne ia kemi bërë të qartë këtë privatisht edhe qeverisë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të DASH-it.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në konferencën e sotme ka theksuar se Bashkimi Evropian mund t’i shtojë masat për Kosovën, nëse shtetet anëtare pajtohen që ato të rriten.

Siç tha ai, në vend se Kosova të bënte hapa për de-përshkallëzim, Qeveria bënte veprime të njëanshme që veçse çonin në përshkallëzim të situatës.

“Ne e kemi thënë atëherë se këto masa mund të zgjaten apo të hiqen pavarësisht zhvillimeve të situatës. Pra, çfarë do të bëjmë? Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse aktorët evropianë pajtohen se ato duhet të shtohen. Masat mund të jenë gjithashtu në shkallë nëse të gjithë aktorët evropianë ranë dakord që ato duhet të rriten”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zëdhënësi i BE-së deklaroi se shpreson që Qeveria e Kosovës të marrë mesazhin, e që ta bëjë Bashkimin Evropian të ndalojë së marruri masa ndaj tyre.

Bashkimi Evropian ka ripërsëritur se çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të bëhet përmes dialogut.

Për Urën e Ibrit, si dhe protestën që u zhvilluar ditën e djeshme nga qytetarët serbë, KFOR-i lëshoi një komunikatë për media ku tha se po monitoron situatën, ndërsa shtoi se s’do të hezitojnë të marrin masa të nevojshme për çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Trupat e KFOR-it ishin në terren dhe kryen patrulla në zonat përreth për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë. Demonstrata vazhdoi pa ndonjë ndërprerje të raportuar apo shqetësime sigurie. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë. KFOR nuk do të hezitojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të trajtuar çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhej në komunikatën e KFOR-it, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

Për mbylljen e Postës së Serbisë në veri, si dhe për hapjen e Urës së Ibrit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se operacioni i Policisë ka qenë i zakonshëm, pasi pa licencë nuk mund të funksionohet.

Për hapjen e Urës së Ibrit, ai tha se do të bëhet, por pritet të vlerësohet nga ekspertët se kur do të ndodhë, dhe se s’ka arsye që mos të bëhet hapja e saj.

Për këtë të fundit ka folur edhe Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka thënë se “urat bashkojnë njerëzit”.

“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka përfunduar Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share