DREJTORËT E RINJ EMËROHEN SI USHTRUES DETYRE
Pasi dje me kërkesë të Ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali, u dorëhoqën Drejtorët e dy klinikave universitare – Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve dhe Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, sot Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë emëruar drejtorë të rinj.
“Njoftojmë se Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, për ushtrues detyre Drejtor Mjekësor në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve ka emëruar Dr.Stojka Naceva – Fushtiq, derisa për u.d Drejtor i ri në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Dr.Viloeta Klisarovska. Dy drejtorët e rinj janë emëruar si ushtrues detyre deri në shpalljen e konkursit, por jo më gjatë se gjashtë muaj”, njoftojn nga MSH.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ditë më parë, paralajmëroi se për 48 orë, pasi të shqyrtohen raportet e revizionit do të ketë vendim, por ish-Drejtorja e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Aspazija Sofijanova nuk e priti vendimin e të parit të ekzekutivit dhe dje deponoi dorëheqjen.
Disa javë më parë në kronikën e Klan Maqedoni u publikuan dokumente ku shihej se si drejtoresha përfitonte duke keqpërdorur ”kujdestarinë”si mjet për të ardhur deri te paga më e madhe mujore. Paga e saj shkonte deri në 5.000 euro apo 300.000 denarë./KlanMacedonia