MPJ: Rritet numri i shtetasve të RMV-së në Izrael – formohet shtabi i krizës!

NDËRMERREN MASA PËR EVAKUIM NGA IZRAELI

Duke marrë parasysh situatën e përkeqësuar të sigurisë në Izrael, Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, me procedurë të shpejtë ka formuar shtabin e krizës në suaza të MPJ-së, detyra e së cilës është t`i ndjek dhe t`i koordinojë dhe sistematizojë të gjitha procedurat lidhur me shtetasit e RMV-së që gjenden në rajonet e cënuara dhe të cilëve do t`u duhet ndihmë dhe asistencë për evakuim të sigurtë.

“Sipas informatave të Ambasadës së RMV-së në Tela Aviv, si dhe sipas paraqitjeve në SOS – telefonin e MPJ-së në Shkup, në Izrael dhe Bregun Perëndimor vazhdimisht rritet numri i shtetasve tanë që paraqiten se janë të bllokuar në rajonet e cënuara. Me ta mbahet kontakti i vazhdueshëm ku ndërmirren masa gatishmërie për asistencë eventuale për evakuimin e sigurtë”, thonë nga MPJ.

MPJ-ja njofton se sot në mëngjes është dërguar instruksioni urgjent në rrjetin diplomatiko-konsular të RMV-së në vendet përreth, për t`u bërë gati dhe të jenë të kapshëm 24 orë për të komunikuar me qytetarët.

“U bëjmë thirrje qytetarëve tanë që për momentin janë në Izrael që t`i respektojnë rekomandimet e autoriteteve të sigurisë së Izraelit, si dhe të paraqiten në Ambasadën në Tel Aviv apo në telefonat kujdestar”, thonë nga MPJ.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, kolegut të tij izraelit Eli Koen, i ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe pasojat, duke dënuar sulmet e vazhdueshme ndaj Izraelit dhe sic thuhet në një komunikatë nga Ministria e Jashtme, ka riafirmuar qëndrimin për lirimin urgjent të të gjithë civilëve si dhe ndërprerjen e veprimeve të dhunshme ndaj Izraelit./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share