SERBI
Është vrarë dorasi i policit në Serbi ka bërë të ditur ministra e Punëve të Brendshme e këtij shteti.
Në mediat serbe është publikuar fotografia e personit të vrarë.
Identiteti i tij nuk është përmendur në komunikatën e autoriteteve serbe, por një ditë më parë ata zyrtarisht shpallën si të kërkuar Faton Hajrizin I dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në kufi më Bosnjë e Hercegovinën.
Sipas mediave serbe, Hajrizi ka tentuar të kalojë Drinën dhe të arratiset në Bosnje dhe Hercegovinë, por nuk ia ka dalë, prandaj është fshehur në një kompleks të braktisur fabrikash.
Vrasja e policit serb kishte ndodhur në orët e para të së mërkurës pas një kontrolli rutinor.
Autoritetet serbe thanë se në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë kosovare dhe një letërnjoftim gjerman me emër të Artan Hajrizit, por ky i fundit u lajmërua nga Gjermania dhe deklaroi te autoritetet gjermane se dokumentet i janë vjedhur dy ditë më parë nga vëllau i tij.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 6 korrik ndërsa ishte në kërkim edhe nga autoritetet e Kosovës./tvklan.mk/
Raporti: Blerta Dalloshi Berisha