MPB nuk jep detaje për vrasjen në Shkup sepse rasti po hetohet, LSDM kërkon llogari duke i quajtur dështim përpjekjet e MPB-së

Ende nuk ka hollësi rreth vrasjes së djeshme në Qendrën Tregëtare Mavrovasja në Shkup. Nga Ministria e Punëve të Brendshme për Klan M bëjnë të ditur se për shkak të interesit të hetimeve, nuk mund të ofrojnë më shumë detaje. Thonë se të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë dosje penale.

“Ministria e Punëve të Brendshme – SPB Shkup po zbaton një sërë masash taktike operative me qëllim të privimit nga liria të dyshuarit të tretë. Në automjet nuk u gjet asnjë ari, janë kryer ekspertiza për të gjitha objektet që janë në interes të hetimeve. Personat që u përfshinë në vrasjen e kryer në parkingun përballë qendrës tregtare “Mavrovasja”, ku u qëllua me armë zjarri V.E (59), të gjitha janë me dosje penale. Personi është qëlluar me armë zjarri në sy të gruas së tij.  Nuk jemi në gjendje të japim detaje të tjera të viktimës në interes të hetimit”, thanë nga MPB.

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, në një postim në Facebook ka bërë të ditur se është intervenuar menjëherë nga ana e policisë duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të menaxhuar situatën.

“Menjëherë janë aktivizuar dhe marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Synimi ynë është që të mos lejojmë që qyteti dhe shteti të kthehet në një terren stërvitor për grupet kriminale. Rendi dhe ligji janë dhe do të jenë mbi strukturat kriminale-mafioze. Krimi nuk ka përkatësi etnike apo partiake dhe përgjigja jonë është dhe do të jetë e ashpër dhe pa kompromis. Të gjithë qytetarët duhet të ndihen të sigurt dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësinë dhe angazhimin më të madh për ta bërë këtë”, deklaroi Janev.

Nga ana tjetër, LSDM, ka kritikuar MPB-në për paaftësinë e saj në menaxhimin e sigurisë publike.

“Publiku është vetë dëshmitar që në muajt e kaluar, vendi u kthye në Perëndim të Egër, një vend i pasigurt ku ndodhin vrasje në mes të ditës në qendër të kryeqytetit. Nga dje në mediat rajonale nuk njihemi vetëm për vrasje dhe kjo është një situatë që është rezultat i paaftësisë së MPB-së dhe Toshkovskit”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Sipas burimeve të MPB, policia është në kërkim të Adem Kurtoviqit, si i dyshuari i tretë për vrasjen e djeshme në qendrën tregtare “Mavrovasja” në Shkup. Ndryshe gjatë ditës së djeshme në aksionin e policisë u arrestuan edhe dy persona të tjerë të dyshuar lidhur me vrasjen në QT Mavrovasja. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share