Përpjekje të reja për mashtrim dhe keqpërdorim të qytetarëve
Thirrja për t’u paraqitur në gjykatë për shkak të veprave penale që nuk i kanë kryer, ka detyruar një numër të qytetarëve të shkojnë në polici. Denoncime ka pasur edhe për mesazhe nga Drejtoria e të Ardhurave Publike në të cilat kërkohen të dhëna për kartelat bankare. Gjithë kjo e ka detyruar Ministrinë e Punëve të Brendshme t’u bëjë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm që të mos bëhen viktima të krimit kibernetik.
“Këto mesazhe elektronike janë përpjekje klasike për mashtrim, në të cilat qëllimi i mashtruesve është të vinë deri te të dhënat personale të dërguesit për keqpërdorim të mëtejshëm. Bëjmë thirrje për kujdes të posaçëm, mesazhet të mos hapen, të kontrollohet dërguesi, të mos shpërndahen të dhëna personale”, thonë nga MPB.
MPB-ja shton se kjo është përpjekje për mashtrim me shenjë ndërkombëtare, sepse mesazhe të ngjajshme shpërndahen edhe në vendet fqinje. Bankat dhe institucionet tjera që disponojnë me të dhëna personale dhe bankare zakonisht theksojnë se asnjë informacion nuk do ta kërkojnë nga klientët e tyre përmes emailit ose mesazhit SMS. Kohëve të fundit, përveç individëve, objekt i sulmeve kibernetike kanë qenë edhe një sërë institucione në vend, ueb-faqet e të cilave u sulmuan me rrezikun nga keqpërdorimi i të dhënave me të cilat disponojnë. Një nga mënyrat për mbrojtje në hapësirën e internetit janë njohuritë më të mëdha digjitale dhe ndryshimi i shpeshtë i fjalëkalimeve./KlanMacedonia
PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA