KAH MESI I JAVËS SËRISH RIKTHEHET MOTI MË I NGROHTË DHE ME DIELL
Nën ndikimin e një vale të ftohtë dhe të lagësht nga veriu, ditëve në vijim, në Gadishullin Ballkanik, temperaturat do të shënojnë rënie drastike me më shumë se 10 gradë Celsius.
Vala e të ftohtit në Maqedoninë e Veriut mbërriti mbrëmë që solli ulje të ndjeshme të temperaturave.
Por, u realizuan edhe parashikimet e metereologëve që paraprakisht kishin paralajmëruar se mund të ketë reshje bore në malet më të larta në pjesën perëndimore të Ballkanit. Reshje bore janë shënuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Nëpër rrjete sociale shpërndahen fotografi dhe pamje nga shtresa të dëborës në këto vise.
Metereologët për këtë javë parashikojnë mot të ndryshueshëm me reshje të kohëpaskohshme të shiut, kurse për të martën parashihet se temperaturat do të jenë në intervalin nga 8 deri 17 gradë Celsius.
Megjithatë, sipas metereologëve, përkundër ndryshimit të menjëhershëm, kah mesi I javës sërish rikthehet moti më me diell dhe ditë më të ngrohta. /KlanMacedonia/