PËRMBYTJE, DRUNJ TË RRËZUAR, RRUGË TË BLLOKUARA, OBJEKTE BANIMI NËN UJË
“U bashkuan qielli dhe toka”. Në këtë mënyrë qytetarët e kanë përshkruar motin e lig që dje pasdite kaploi rajonin e Shkupit, raporton KlanMacedonia.
Për më pak se një orë, shiu i rrëmbyeshëm, era e fuqishme dhe zbrazjet elektrike shkaktuan kaos në Shkup. Një numër i madh i rrugëve ishin përmbytur, drunj dhe bilborde të rrëzuara, kurse uji kishte hyrë edhe në shtëpitë e qytetarëve.
Ekipe të zjarrfikësve dhe policisë kishin intervenuar për evakuimin e qytetarëve të cilët me veturat e tyre ishin bllokuar nëpër rrugë. Shumë ndërtesa, bodrume, parkingje, rrugë dhe bulevarde mbetën nën ujë.
Ka intervenuar edhe shërbimi I ndihmës së shpejtë, ku njoftuan se ka patur denoncime për qytetarë të lënduar.
Kryebashkiakja e Shkupit, Danela Arsovska thirri një takim urgjent të Shtabit të Krizës në Qytetin e Shkupit, kurse gjatë natës doli në terren.
“Sfida më e madhe ishte për shkak të kanalizimit atmosferik që është jo adekuate për Shkupin. Ditëve në vijim do të dalim me analizë se si t`i zgjidhim këto sfida” – deklaroi Arsovska.
U mobilizuan Komunat e Shkupit, Ndërmarrjet Publike, Zjarrfikësit, por përmbytjet shkaktuan shumë dëme nëpër objekte banimi në Shkup.
Keq e pësoi edhe Qendra Tregtare “East Gate Mall”. Menaxhmenti mori vendim që ta mbyll objektin dhe t`i evakuojë vizitorët, kurse për shkak të sigurisë, në garazhet nëntokësore veturat mbetën deri në tërheqjen e ujit.
Rrjetet sociale “vlojnë” me postime, fotografi dhe video nga moti I lig që kaploi Shkupin. Qytetarët thonë se dolën në sipërfaqe të gjitha dobësitë e sistemit. Ka shumë postime ku me ironi përshkruhet situata e krijuar nga përmbytjet. “Një metër katrorë për banesën 1.500 euro – pishina gratis”, “East Gate të riemërohet në Votergejt” e shumë të tjera, janë disa nga reagimet nëpër rrjetet sociale, sic thuhet, kundër anomalive të shumta në shoqërinë tonë. /KlanMacedonia/