QMK bën thirrje për kujdes maksimal
Pamjet që po i shihni vijnë nga rajoni i Ohrit dhe Strugës, i cili nga mesdita u kaplua nga moti i lig i përcjellë me shi të rrëmbyeshëm, breshër, zbrazje elektrike dhe erë të fuqishme, njofton KlanM.
U bashkua toka me qiellin, shkruajnë qytetarët e këtij rajoni nëpër rrjetet sociale.
Moti i lig ka përfshirë edhe rajonin e Kërçovës. Raportohet se edhe në këtë rajon ka rënë breshër.
Metereologët, siç njofton KlanM, thonë se moti i lig zhvendoset nga pjesa jugperëndimore në drejtim të verilindjes së vendit, duke bërë të ditur se i gjithë vendi do të përfshihet nga përkeqësimi i motit ku lokalisht proceset do të jenë më intensive.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza bëjnë thirrje për kujdes maksimal, kurse nëse qytetarët vërrejnë pika kritike të nivelit të ujrave të lajmërohen në numrin 112.
Metereologët, siç njofton KlanM, thonë se ndryshimi dhe përkeqësimi i motit është si rezultat i ndikimit të një mase të lagësht dhe jostabile ajrore nga verilindja. Për shkak të energjisë së madhe të akumuluar në atmosferë, vende-vende do të ketë paraqitje të motit të lig me shi, breshër, zbrazje elektrike dhe stuhi erërash.
Ndryshe, për shkak të motit të lig në rajonin e Ohrit, avioni i kompanisë WizzAir, siç percjell KlanM, nuk arriti të aterojë në aeroportin e Ohrit dhe u drejtua për në Tiranë. Ai në Aeroportin e kryeqendrës shqiptare ateroi një orë e gjysmë pas kohës së planifikuar. /KlanMacedonia