Edhe Rumania dhe Bullgaria janë përfshirë nga moti ekstrem
9 persona janë gjetur të pajetë në Turqi pas motit të keq, ndërsa fati i 11 marinarëve në Detin e Zi ende nuk dihet.
“9 qytetarë tanë humbën jetën për shkak të stuhive dhe shirave të dendur”, tha ministri i Brendshëm Ali Gerlikaya në një konferencë shtypi në qytetin Zonguldak ku humbën jetën 4 persona. 5 persona të tjerë, përfshirë 3 fëmijë, humbën jetën nga përmbytjet në qytetin Batman dhe Dijarbakir në pjesën juglindore të vendit.
Trupi i një prej 12 marinarëve, gjurmët e të cilëve humbën në Eregli, një port në qytetin Zonguldak, u gjet në orët e para të mëngjesit. Anija u mbyt të dielën gjatë lundrimit nga porti Eregli, që ndodhet rreth 200 kilometra në lindje të Stambollit.
Këtë të hënë kanë nisur operacionet e kërkimi-shpëtimit, të cilat më parë ishin të pamundura për shkak të kushteve të motit. Erërat ka fryrë në shpejtësi 130 deri në 140 km/h duke bërë që dallgët të shkojnë 8 deri në 9 metra. Moti i keq ka përfshirë edhe Rumaninë dhe Bullgarinë. Në këtë të fundit u shënuan dy viktima të dielën.
Erërat e forta, të shoqëruara me reshje të dendura shiu dhe bore, shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe bllokuan rrugët në rajonet lindore të të dy vendeve. Në përgjigje të situatës në rajonin e Varnës në Detin e Zi, Bullgaria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Mijëra familje në të dyja vendet mbetën pa energji elektrike dhe ekipet e zjarrfikësve punuan për të larguar 140 pemë të rrëzuara.
Klan News