Organizata bamirëse mjekësore “Mjekët pa kufij” (MSF) tha se një kolonë prej 14 kamionësh të saj kishte hyrë në veriperëndim të Sirisë të dielën për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit nga tërmeti, ndërsa shqetësimet rriten për mungesën e qasjes në zonën e shkatërruar nga lufta.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka ushtruar presion ndaj autoriteteve në atë rajon të Sirisë që të ndalojnë bllokimin e aksesit teksa kërkon të ndihmojë qindra mijëra njerëz pas tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit .
Duke folur për Reuters në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të shtunën, drejtori i WFP, David Beasley tha se qeveritë siriane dhe turke kishin bashkëpunuar shumë mirë, por se operacionet e saj po pengoheshin në Sirinë veriperëndimore, transmeton Klankosova.tv.
Agjencia javën e kaluar tha se po mbaronte stoqet atje dhe bëri thirrje që të hapen më shumë pika kufitare nga Turqia.
Në Sirinë, tashmë të shkatërruar nga më shumë se një dekadë e luftës civile, pjesa më e madhe e viktimave ka qenë në veriperëndim. Zona kontrollohet nga kryengritësit në luftë me forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad, gjë që ka komplikuar përpjekjet për të marrë ndihmë për njerëzit.
Ndërkohë, përpjekjet e shpëtimit në Turqinë e goditur nga tërmeti po mbylleshin të dielën
“A do të luteni për të gjetur një trup të pajetë? Ne po…për t’ia dorëzuar trupin familjes,” tha operatori i buldozerit Akin Bozkurt teksa makina e tij godiste me thua rrënojat e një ndërtese të shkatërruar në qytetin e Kahramanmaras.
“Ju e gjeni një trup nën tonelata rrënojash. Familjet po presin me shpresë,” tha Bozkurt. “Ata duan të kenë një ceremoni varrimi. Ata duan një varr.”
Kreu i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), Yunus Sezer, tha se përpjekjet e kërkim-shpëtimit do të përfundojnë kryesisht të dielën mbrëma.
Më shumë se 46,000 njerëz janë vrarë pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt. Numri pritet të rritet, me rreth 345,000 apartamente në Turqi që dihet se janë shkatërruar dhe shumë njerëz ende të zhdukur, transmeton Klankosova.tv.