Demokracia e Re e kryeministrit kërkon të qeverisë pa koalicion
Fitoren e thellë të Partisë Demokracia e Re e tregon kjo hartë ku me të kuqe është vetëm një rajon në lindje të vendit, i fituar nga Syriza, ndërsa të tjerat nga partia e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Demokracia e Re siguroi 146 mandate në parlament, pesë më pak se numri i nevojshëm për të formuar qeverinë. Kjo parti mori 40.8%, te votave, ndërsa të majtët radikalë të Syrizas, morën 20.1%.
Edhe pse fitore e thellë, Greqia pritet të shkojë sërish në zgjedhje në Qershor. Kjo për shkak se 4 partitë që hynë në parlament kanë deklaruar më herët se nuk do të bëjnë koalicion me Demokracinë e re të Mitsotakis.
Si fituesi i këtyre zgjedhjeve, Mitsotakis shkoi në Presidencë ku i dorëzoi kreut të shtetit mandatin për krijimin e qeverisë. Vendimin e tij ia komunikoi dhe liderëve të partive të tjera.
Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë: Besoj se mesazhi i i votimeve ishte shumë i qartë. Nuk besoj se ka terren për të formuar qeverinë nga ky parlament. Prandaj do ta kthej këtë mandatin, që të shkojmë në zgjedhje të reja.
Është rënë dakord që zgjedhjet të zhvillohen më 25 Qershor.
Mandatin për krijimin e qeverisë e merr e para, forca politike më e votuar, nëse kjo nuk e pranon i shkon me radhe partive të tjera parlamentare, sipas renditjes së deputetëve që kanë fituar.
Pas refuzimit të mandatit nga Mitsotakis, Siriza dhe PASOK që vijnë më pas sërish nuk mund të krijojnë qeverinë pasi edhe po të bashkohen nuk kanë numrin e duhur të deputetëve për të krijuar shumicën.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, fituesi sipas ligjit grek ka një bonus që i jep mundësinë partisë që renditet e para të shtojë numrin e deputetëve duke i mundësuar të qeverisë e vetme.
Klan News