Ministrat e Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Greqisë, Italisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, të tubuar në grupin e ashtuquajtur “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i kanë dërguar një letër Shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kalas dhe Komisares së Zgjerimit, Marta Kos, me mesazhin se është koha për një progress vendimtar për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Në letër, “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” theksojnë se me luftën agresive ruse kundër Ukrainës dhe sfidave tjera të sigurisë në kontinentin evropian, një nga veglat më efikase gjeopolitike të BE-së, po merr një nxitje të re dhe të fuqishme.
Siç thuhet në letër, në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor do të jetë një test strategjik për BE-në.
“Vetëm me integrimin e këtij rajoni në familjen tonë të BE-së, mund të sigurojmë stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit tonë” – thuhet në letrën e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”.
Qasje në këtë dokument, sic njoftojnë shumë media të rajonit, ka patur agjencia e lajmeve Tanjug.
Në letër potencohet se BE-ja duhet t`i përgatisë qytetarët për zgjerimet e ardhshme kurse në fushatën e komunikimit nuk duhet të kyçen vetëm institucionet dhe vendet anëtare të BE-së, por edhe partnerët nga Ballkani Perëndimor.
Letra është nënshkruar nga Ministri për çështje evropiane dhe ndërkombëtare të Austrisë, Aleksander Shalenberg, Zv/Kryeministri Italian dhe Ministër PËR Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Antonio Tajani, Ministrat e Jashtëm dhe për çështje evropiane të Kroacisë dhe Sllovakisë, Gordan Grliq Radman dhe Juraj Blanar , Ministrat e Jashtëm të Çekisëd he Greqisë, Jan Lipavski dhe Jorgos Gerapetritis dhe Zv/Kryeministra e Sllovenisë dhe Ministrja e Jashtme dhe për çështje evropiane, Tanja Fajon.