Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, ka shpallur listën me emrat e 23 lojtarë të ftuar për miqësoren e 9 nëntorit ndaj Katarit. Pjesë e grupit janë pjesa më e madhe e lojtarëve që ishin edhe në miqësoren me Arabinë Saudite të luajtur më 26 tetor në Abu Dabi, ndërkohë që këtë herë mungojnë disa nga lojtarët që aktivizohen me klubet e huaja.
I vetmi legjionar në këtë listë është Kristal Abazaj, i cili aktivizohet në kampionatin turk me klubin e Istanbulspor.
Të gjithë futbollistët e tjerë aktivizohen në kampionatin shqiptar teksa për herë të parë janë ftuar lojtarë si Herald Marku, Serxho Ujka, Mario Dajsinani apo Arbin Zejnullai.
Përfaqësuesja do të shfrytëzojë shtyrjen e javës së 12-të të “Abissnet Superiore” për të nisur grumbullimin që ditën e shtunë me ekipin që do të përgatitet në kompleksin Tropikal në Durrës deri të martën, kur do të niset për në Marbella të Spanjës.
Ndeshja miqësore Shqipëri-Katar do të luhet pikërisht në stadiumin e Marbellas dhe do të nisë në ora 18:30. Kjo do të jetë përballja e tretë në histori mes Shqipërisë dhe Katarit, që të gjitha në ndeshje miqësore.