40 mijë biletat shiten për rreth 60 minuta, çmimi kapi vlerën e 635 Dollarëve
Ashtu siç edhe pritej, Lionel Messi është shndërruar në imazhin ikonë të Inter Miami. Sulmuesi argjentinas vijon të korrë sukses tashmë jashtë fushave të lojës, duke qenë ai që frymëzon tifozët në mbarë botën.
Rekordi i radhës është ai i shitjes së biletave për miqësoren e luksit që skuadra amerikane do të luajë në Hong Kong. Rreth 60 minuta janë dashur për tu shitur të gjitha biletat për këtë sfidë, në stadiumin kombëtar, me një kapacitet prej 40 mijë spektatorësh.
Çmimi i biletave ishte i lartë pavarësisht asaj që vlen kjo sfidë. Një vend në stadium vlen nga 113 deri në 625 dollarë, siç raportohet nga mediat vendase. Dëshira për të parë në aksion 8 herë fituesin e Topit të Artë ka bërë që biletat të avulojnë, me një mesatare që mund të llogaritet në rreth 660 bileta në çdo minutë. Takimi pritet të luhet në ditët e para të muajit shkurt.
Inter Miami do të luaj gjithashtu në El Salvador takime miqësore parasezonale, përpara se të udhëtojë edhe drejt Arabisë Saudite për tu ndeshur me Al Nasërin e Crisitano Ronaldos dhe Al Hilal.
Klan News