MINISTRJA E ARSIMIT PREMTON ZGJIDHJE PËR ÇASHKËN
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, zotohet se do të zgjidhe problemin e shkollës fillore Todor Janev në Cashkë, ku janë të paraparë të mësojnë 10 nxënës shqiptarë në gjuhën shqipe. Problemi i shkollës është përshkruar si një situatë me shumë parregullsi dhe mospërputhje, e cila ka rezultuar në një vendim të papranueshëm për nxënësit që duhet të mësojnë në gjuhën shqipe. Drejtoresha e shkollës në atë kohë akuzohet për gabime të shumta, duke përfshirë edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të diskutueshme dhe pa dokumentacion të nevojshëm në Ministrinë e Arsimit, thote Janevska.
“Drejtoresha në atë kohë ka bërë shumë gabime, kështu që është arritur një marrëveshje për të cilën nuk ka asnjë dokument në Ministrinë e Arsimit, kështu që edhe tani po kërkojmë nga komuna që të shihet se çfarë ka ndodhur në atë marrëveshje të nënshkruar nga ministri I atëhershem I arsimit, përfaqësues të prindërit dhe kryetarin e komunës. Nuk dua të ketë dilema dhe them se publikisht, të drejtat e të gjithë qytetarëve në këtë vend do të respektohen me ligj” – tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, gjithashtu njoftoi një ndryshim të papritur në planifikimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasës së shtatë. Edhe pse pritej që deri në fillim të shtatorit të ishin gati tekstet e reja shkollore, ministrja bëri të ditur se kjo nuk do të ndodhë për shkak të shumë çështjeve administrative dhe përgatitëse.
“Asnjë tekst shkollor i klasës së shtatë nuk është në shtyp, disa nuk janë miratuar dhe disa janë të pashqyrtuara ose të pashkruara. Po të kishim shkop magjik nuk do të arrinim në shtator. Ne do ta shtyjmë konceptimin klasën e shtatë. Nëse një temë nuk është e përshtatshme në tekstet shkollore, mësimdhënësit do të duhet të tregojnë literaturë tjetër dhe t’ua mësojnë atë temë” – tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Janevska gjithashtu paralajmëroi se që nga shtatori, do të bëhet një kontrolle i detajuar për të siguruar që tekstet ekzistuese të përputhen me programin shkollor dhe me konceptin e ri që Ministria ka përcaktuar. /tvklan.mk/