MOSKA ZYRTARE: KY VEPRIM NUK DO TË MBETET PA PËRGJIGJE
Ministria e punëve të Jashtme ka njoftuar se ka dëbuar tre diplomatë të Ambasadës Ruse në SHkup. Vendimi këtillë është marrë pas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente për aktivitete të ndërmarra e që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Moska zyrtare u kundërpërgjigj se y veprim nuk do të mbetet pa përgjigje.
Një ditë pas reagimit të Moskës zyrtare, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut sot doli me njoftim për dëbimin e tre diplomatëve. Nëpërmjet një komunikate të shkurtë, nga ministria sqaruan se këtij hapi i kanë paraprirë veprime në kundërshtim me konventën me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, nga ana e diplomatëve rus.
“Më 12 shtator në Ministrinë e Punëve të Jashtme është thirrur ambasadori i Federatës Ruse, të cilit i është dorëzuar nota diplomatike, me të cilën tre diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse në Shkup janë shpallur të padëshirueshëm në vend (persona non grata). Vendimi këtillë është marrë pas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente për aktivitete të ndërmarra e që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike” – thonë nga Ministria e Jashtme e RMV-së.
Ambasada e Rusisë në Shkup dje reagoi ndaj kësaj mase, duke e quajtur atë të papërgjegjshme dhe armiqësore.
Grafikë: AMBASADA RUSE NË RMV
“Më 12 shtator autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pa sqarim për arsyet. Shpallën “persona non grata” tre diplomatë të Ambasadës ruse në Shkup. Hapi i papërgjegjshëm dhe armiqësor i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut nuk do të mbetet pa përgjigje” – tha ambasadorja ruse në RMV.
Ndërkaq, veprimi është komentuar edhe nga zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila mes tjerash tha se, me këtë autoritetet në Maqedoninë e Veriut, vazhdojnë të përkeqësojnë konfrontimin dhe po i çojnë në qorrsokak marrëdhëniet bilaterale, të cilat edhe ashtu janë në krizë të thellë.
“Ne e konsiderojmë vendimin për dëbimin e kolegëve tanë si një dëshirë të papërshtatshme të udhëheqësisë së këtij vendi, për t’u treguar edhe njëherë gardianëve perëndimor rëndësinë e saj në luftën kundër “kërcënimit rus” imagjinar”, ka shtuar Zaharova. /KlanMacedonia/