Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant paralajmërohet kundër zgjerimit të konfliktit me Hezbollahun

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ndodhet në Uashington ku u takua me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Zyrtarët amerikanë e paralajmëruan zyrtarin e lartë izraelit kundër zgjerimit të konfliktit me grupin militant Hezbollah.

Përveç luftimeve në Gaza, bombardimet përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin kanë shpeshtuar, ngritur shqetësime për një luftë rajonale. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u takua me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, në Pentagon. Uashingtoni i bëri thirrje Izraelit të gjejë një zgjidhje diplomatike me Hezbollahun.

“Provokimet e Hezbollahut kërcënojnë të tërheqin izraelitët dhe libanezët në një luftë që ata nuk e duan. Një luftë e tillë do të ishte katastrofike për Libanin dhe do të ishte shkatërrimtare për civilët izraelitë dhe libanezë”. tha Austin.

Ministri izraelit Gallant theksoi se Izraeli gjendet në një udhëkryq që do të ketë pasoja për tërë Lindjen e Mesme. Ai shtoi: “Kërkojmë të vendosim siguri në veri, të ndryshojmë realitetin në terren dhe të kthejmë komunitetet tona.”

Izraeli hodhi poshtë kërkesën e Hamasit për një armëpushim të përkohshëm në konfliktin tetë mujor në Gaza, si hap i parë drejt përfundimit të luftës.

Eksperti i “Korporatës Rand”, Raphael Cohen, theksoi se ministri Gallant është zyrtari kryesor me të cilin Shtetet e Bashkuara mbajnë kontakt. Bisedimet rreth propozimit të armëpushimit vazhdojnë.

Në Kombet e Bashkuara, zyrtarja për çështje humanitare, Yasmina Guerda, paralajmëroi se situata në Gazë është e tmerrshme. “Nuk kanë kushte për jetë. Ata mezi po mbijetojnë,” tha ajo.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit njoftoi se shumë nga autokolonat me ndihma në Gazë nuk po arrijnë tek civilët për shkak të veprimtarisë kriminale në këtë territor. Ai shtoi se mënyra më e sigurt për t’i dhënë fund vuajtjes në Gaza është përfundimi i konfliktit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share