Ministrat e BDI-së sot zyrtarisht do t’ia dorëzojnë dorëheqjet Kovaçevskit

LSDM: MË KETË PËRMBUSHEN KËRKESAT E MOCKOSKIT, VMRO TË VOTOJË NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Ministrat e BDI-së në seancën e qeverisë do t’iа dorëzojnë zyrtarisht kryeministrit Dimitar Kovaçevski dorëheqjet e tyre, të cilat duhet të hyjnë në fuqi kur opozita të mbështesë ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Siç njoftoi dje ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, dorëheqjet do t’i dorëzohen kryeministrit dhe do të nënshkruhen individualisht nga secili prej ministrave dhe do të aktivizohen automatikisht pas votimit të ndryshimeve kushtetuese, pas së cilës do të mbahen zgjedhjet. Nga BDI thanë se, me këtë e kanë përmbushur kërkesën e opozitës VMRO-DPMNE, andaj tani ata duhet të mbajnë premtimin për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së të japin mbështetje për ndryshimet kushtetuese dhe vazhdimin e rrugës evropiane. Me votën për Evropën në Kuvendin e Maqedonisë, Mickoski dhe VMRO-DPMNE mund të tregojnë se janë vërtet për agjendën evropiane, se agjenda evropiane është gjithashtu maqedonase, në vend që të ngecë dhe të bllokojë” – thonë nga LSDM.

Por, për VMRO – DPMNE-në, dorëheqjet e BDI-së janë manovër politike. Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski në një emision në TV Alfa, tha se, nuk e marrin seriozisht këtë hap të BDI-së, duke përsëritur se për opozitën, opsioni i vetëm janë zgjedhjet e parakohshme

“Dorëheqjet e BDI-së nuk duhet të merren seriozisht. Procedurat nuk janë përmbajtësore dhe ato thonë se dorëheqjet do të vlejnë kur opozita të votojë për ndryshimet kushtetuese. Dorëheqjet do të jenë atëherë efektive. Formalisht diçka e tillë nuk ekziston. Ligji, procedurat nuk njohin diçka të tillë, metodologji të tillë, mënyrë të tillë të dorëheqjes” – deklaroi Mickoski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka caktuar për më 18 gusht seancën plenare për ndryshimet kushtetuese. Debati do të zgjas më së shumti 10 ditë dhe më pas shkohet në votim. Xhaferi paralajmëroi se, votimi për ndryshimet kushtetuese mund të shtyhet nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme prej 80 votash. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share