Minçev-VLEN-it: Balancuesi është temë e mbyllur, mos bëni politika ditore me këto tema…

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev thotë se tema e balancuesit është çështje e mbyllur dhe se do të respektoj ligjin deri në presjen e fundit.

“Nuk ka asgjë që është e qëllimshme ose do të respektohet ligji ose jo. Unë si ministër do të respektoj ligjin dhe do ta bëj deri në presjen e fundit. Në artikullin për llogaritjen në “balancues” thuhet rreptësisht se i referohet ekskluzivisht popullatës rezidente në territorin e Maqedonisë. Kjo do të thotë se të gjithë banorët që jetojnë në territorin e Maqedonisë do të jenë në kalkulim të balancuesit, tha ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, në konferencën e sotme për media në ambientet e ministrisë së tij.

Sipas Minçevit, ajo temë është mbyllur dhe arkivuar dhe është duke u zbatuar.

“As që kam ndërmend të provokoj një nga partnerët tanë të koalicionit. Ky është një nga parimet e koalicionit. Në Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, në mënyrë të prerë shkruhet se mjeti “balancues” zbatohet për qytetarët që jetojnë në territorin e Maqedonisë, që është popullata rezidente. Shpresoj se kolegët e VLEN-it do të vijnë në vete dhe do të kushtojnë më shumë vëmendje në leximin e ligjeve ekzistuese dhe nuk do të merren me tema ditore politike”, shtoi Minçev.

Ministri ka ndryshuar vendimet e paraardhësit të tij Aliti dhe ka korrigjuar përqindjet në “balancues”. Sipas regjistrimit të vitit 2021, maqedonasit nga 54,21% tani janë 58,44%, ndërsa shqiptarët nga 29,52% në 24,30%.

“Ndryshimet janë bërë në përputhje me ligjin”, argumentoi Minçev, dhe theksoi se tash e tutje në llogaritjet e planeve vjetore të punësimit në sektorin publik do të përfshihet vetëm popullata rezidente në vend.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share