Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski ka sfiduar sot qeverinë e Dimitar Kovaçevskit për ndryshimet kushtetuese. Pas paralajmërimit të kryeministrit Kovaçevski se brenda dy javësh do t’i dorëzojnë në Kuvend propozimet për ndryshimet kushtetuese, Milloshoski, siç përcjell KlanM, edhe një herë ka bërë me dije se, sipas tij, këto ndryshime nuk kalojnë shkaku i numrave.
“Prej shkurtit, autoritetet kanë njoftuar se amendamentet kushtetuese do të hyjnë në Kuvend, pastaj thanë se do të jetë marsi dhe maji dhe në fund thanë se do t’i dërgojnë në Kuvend për dy javë. Dëshira e VMRO-DPMNE-së është që qeveria ta dorëzojë iniciativën sa më shpejt që të shohin vetë se nuk ka ndryshime kushtetuese dhe se kjo nismë nuk do të ketë sukses”, ka thënë Milloshsoki, përcjell KlanM.
Vendi, sipas Milloshoskit, duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme.
“E shohim se Qeveria ka frikë nga fjala zgjedhje të parakohshme. Qeveria nuk mund të ikë nga zgjedhjet sepse së shpejti vijnë ato të rregulltat dhe vetëm tema e ndryshimeve kushtetuese e mban gjallë pushtetin sepse nuk ka temë tjetër”, tha Milloshoski.
Milloshoski shtoi se tema e ndryshimeve kushtetuese vihet në lojë për ta tërhequr vëmendjen nga problemet reale, që sipas tij janë inflacioni, standardi jetësor, pakënaqësia e popullatës, mosfunksionimi i sistemit e të ngjajshme./KlanMacedonia