LSDM: MICKOSKI TË PËRGJIGJET PËR MARRËVESHJET ME GRUEVSKIN
Deputeti i VMRO – DPMNE-së Antonio Milloshoski ka akuzuar sot pushtetin se po negocion amnisti për ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, me qëllim që ai të ndikojë në përçarjen e VMRO – DPMNE-së dhe t’u ndihmojë të votohen ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, ndryshimet në kodin penal kanë për qëllim të amnistojnë funksionarët e pushtetit aktual dhe të ndikojnë në proceset që kanë të bëjnë me Gruevskin.
“Me këtë aksion të LSDM-së dhe BDI-së kanë për qëllim që t’i amnistojnë dy ish kryeministra, ndërsa nga ana tjetër ndryshojnë ligjet e drejtësisë, të cilët do të krijonin interes dhe mbrojtje personale për funksionarët aktual të LSDM-së dhe BDI-së. Agjenda e LSDM-së dhe BDI-së në periudhën vijuese ka dy qëllime politike primare. Qëllimi i parë është të shpëtohen funksionarët dhe të ketë amnisti për atë të cilët kanë vjedhur dhe kanë keqpërdorur funksionin, ndërsa qëllimi i dytë është që të shfrytëzojnë Gruevskin për copëtimin e VMRO – DPMNE-së dhe me atë, të lehtësojnë miratimin eventual të ndryshimeve kushtetuese”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM kanë mohuar akuzat e VMRO – DPMNE-së për përfshirjen e tyre në përçarjen e opozitës maqedonase. Përkundrazi, nga LSDM pretendojnë se në këtë, mënyrë kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski po kamuflon marrëveshjet që ka me Gruevski, për çka i kanë bërë thirrje që të sqarohet publikisht.
“A po e fsheh Mickoski në këtë mënyrë kërkesën për amnistimin e bashkëpartiakëve të tij, për shkak të pakënaqësive pikërisht ndaj tij? Politika e bllokadave të Mickoskit është vetëm kopje e origjinalit dhe është e dukshme se, ka struktura të DPMNE-së që nuk janë të kënaqur nga ai. Për Nikolla Gruevskit nuk do të ketë amnistim dhe do të arrestohet në momentin që do të shkel në vend”, tha Darko Kaevski, deputet i LSDM-së.
Debati publik për mundësinë e kthimit në Maqedoni të Veriut të ish kryeministrit Nikolla Gruevski nisi pasi presidenti Stevo Pendarovski zbuloi në një intervistë se është konsultuar nga disa politikanë të opozitës për amnistimin e tij. I gjithë ky debat është hapur në kohën kur qeveria po bën përpjekje për të siguruar shumicën e domosdoshme prej 2/3 për ndryshimet kushtetuese./KlanMacedonia