Këngëtarja dhe aktorja amerikane, Miley Cyrus, mund t’ia blejë vetes “1 miliardë lule”. Hiti i yllit të muzikës pop, “Flowers”, ka thyer një tjetër rekord duke u bërë kënga e cila arriti 1 miliardë klikime, në historinë e platformës muzikore Spotify.
Cyrus për të festuar këtë sukses postoi një mesazh në rrjetet sociale ku shkruhej: “Disa lule nuk zbehen kurrë. Faleminderit të gjithë adhuruesve”.
Kënga “Flowers” shënoi 1 miliard klikime në vetëm 112 ditë, që nga data e lançimit më 12 Janar të këtij viti. Ajo është kënga kryesore e albumit të fundit të këngëtares, “Endless Summer Vacation”. Nga momenti i publikimit të shoqëruar edhe me një videoklip, “Flowers” kaloi tetë javë rresht në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”, si dhe kryesoi toplistat ndërkombëtare për 12 javë rresht.
Në rrugëtimin drejt suksesit, kënga ka arritur të thyejë rekord pas rekordi, duke bërë histori në skenën muzikore dhe u shndërruar në një hit që do t’i mbijetojë kohës.
Klan News