Milani zemërohet për shtyrjen e ndeshjes ndaj Bolognës dhe zhgënjehet me Lega Serie A

Milani nuk e ka marrë mirë shtyrjen e takimit të tyre me Bolognën, të planifikuar fillimisht për sot (e shtunë), 26 tetor, pasi mendojnë se Lega Serie A mund të kishte bërë më shumë për t’i lejuar dy skuadrat të luajnë.

Kryebashkiaku i Bolognës, Matteo Lepore, fillimisht njoftoi të enjten se Stadio Dall’Ara nuk mund të priste ndeshjen për shkak të një vale të motit të keq dhe paralajmërimeve të njëpasnjëshme që parashikonin më shumë shi gjatë fundjavës, pasi ndeshja do të kishte tërhequr më shumë se 30.000 tifozë për t’u mbledhur në një nga zonat ‘më kritike’ të qytetit.

Megjithatë, Lega Serie A hodhi poshtë opsionet alternative pas një takimi urgjent të premten, një vendim që kryetari i kuqezinjve, Paolo Scaroni e etiketoi si ‘të pakuptueshëm’ .

Sipas La Gazzetta dello Sport, Milani është ‘i zemëruar’ dhe ‘i shtangur’ nga vendimi përfundimtar për ndeshjen e tyre në Serie A ndaj Bologna pasi ata besojnë se kishte kushte për të parandaluar shtyrjen dhe riplanifikimin e ndeshjes në një listë tashmë të ngjeshur të ndeshjeve.

 

 

Kuqezinjtë fajësojnë në mënyrë specifike kryebashkiakun e qytetit, Matteo Lepore, për refuzimin e opsionit për të luajtur në Stadio Dall’Ara pas dyerve të mbyllura, gjë që do të kishte zgjidhur çdo çështje në lidhje me sigurinë e tifozëve.

Sidoqoftë, Milani gjithashtu mendon se Lega Serie A mund të kishte ‘bërë më shumë’, pasi takimi i tyre urgjent u mbajt shumë vonë, duke përjashtuar mundësinë e riorganizimit të lojës në një terren neutral, me Empolin që ishte i vetmi opsion i mundshëm.

Aktualisht, datat e para të disponueshme për të luajtur ndeshjen e riplanifikuar Bologna-Milan janë nga fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit 2025. Gjithashtu, shtyrja e ndeshjes do të thotë që ndalimet e Theo Hernandez dhe Tijjani Reijnders do të zbatohen për përballjen e kuqezinjve kundër Napolit të martën e ardhshme. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share