Mijëra rusë ikin nga mobilizimi

KOLONA KILOMETRIKE NË VENDKALIMET KUFITARE DREJT GJEORGJISË DHE FINLANDËS

Mijëra rusë të rinj, djem dhe burra, në të gjitha mënyrat përpiqen të largohen nga vendi pasi Presidenti Vladimir Putin ka dhënë urdhër për mobilizim ushtarak. Hakerët thonë se në listën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes kanë parë listën me rreth një milion emra për rekrutim. Derisa Moska thotë se rekrutim i këtillë në Ukrainë është bërë për vite me rradhë, Presidenti Zelenski rikujton – “tashmë kanë humbur jetën 50 mijë rusë, a nuk është mjaft?”.

Përqafime dhe ndarje, kudo në Rusi. Shumë familje të shqetësuara ndahen nga bijtë e tyre, të cilët largohen në front. Mijëra rusë të rinj janë thirrur të largohen në fushat e betejës në Ukrainë pasi Presidenti Putin ka urdhëruar mobilizim shtesë. Hakerët të cilët pohojnë se kanë arritur të hynë në ueb-faqen e Ministrisë thonë se kanë gjetur listën e rekrutëve ushtarakë rezervë, e cila numëron deri në një milion njerëz. Mediat e pavarura ruse raportojnë se autoritetet me forcë rekrutojnë civilë, madje edhe ata që kanë qenë të burgosur për shkak të protestave kundër luftës.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, deklaroi se mobilizim i ngjajshëm në Ukrainë është bërë për vite me rradhë, për gjithë popullsinë, duke përfshirë edhe gratë, por Presidenti ukrainas Zelenski është përgjigjur.

“55 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën në Ukrainë brenda gjashtë muajve, ndërsa dhjetëra mijëra janë të plagosur. A dëshironi më tepër. Në qoftë se jo atëherë protestoni, ikni?”, deklaroi Presidenti i Ukrainës Vlodimir Zelenskyy.

Pikërisht këtë e zgjodhën mijëra rusë, të ikin nga mobilizimi, me aeroplan ose me vetura, në drejtime të ndryshme, megjithë faktin që shumica e vendeve evropiane mendojnë për restriksione për hyrjen e shtetasve rusë. Për hyrje në Gjeorgji, në vendkalimin kufitar ka rradhë të gjata.

-Kolona është e gjatë rreth 10 kilometra. Sot kam ardhur që herët në mëngjes dhe arrita të hyj.

-Sot kam folur me një shok në Krasnodar, thotë se nuk ka burra nëpër rrugë, se është atmosferë e çuditshme pa komunikacion të ngarkuar, nuk ka automjete, të gjithë janë larguar…

-Do të përpiqem të gjej punë në Gjeorgji, do të shoh, do të shkoja kudo vetëm në Rusi jo. Gjithçka që kam pasur në Moskë u zhduk në rrugë pa kthim, arsimi, puna , jeta ime private. Kam arritur këtu duarbosh…

Rusët kërkojnë bileta të aeroplanit për cilindoqoftë vend ku mund të hyjnë pa vizë, në mënyrë që t’i shmangen mobilizimit, por vende si Letonia, Estonia dhe Polonia tashmë kanë ndaluar hyrjen për turistët rusë, duke shtuar se ata nuk duhet ta gëzojnë demokracinë dhe lirinë evropiane derisa qeveria e tyre i sulmon pikërisht këto vlera në Ukrainë. Kjo ka hasur në kritika, posaçërisht në opozitën ruse, aktivistët e së cilës  pohojnë se megjithë kërcënimet e ashpra, mijëra njerëz në Rusi haptazi e kanë kundërshtuar thirrjen për rekrutim./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share