Izraeli: Nuk ka marrëveshje për hapjen e pikave kufitare
Mijëra palestinezë presin prej ditësh në pikat jugore të kalimit kufitar për të ikur në Egjipt, siç dëshmojnë këto pamje në pikëkalimin e Rafahut. Ata duan t’u shpëtojnë kushteve tepër vështira të jetesës që janë vështirësuar edhe më shumë me rrethimin prej më shumë se një jave nga Izraeli.
U ka mbaruar çdo rezervë ushqimore dhe nuk kanë as energji elektrike, as ujë të pijshëm, as karburant. Në anën tjetër të kufirit, në zonën e Sinait presin me dhjetëra kamionë të ngarkuar me tonelata me ndihma për civilët palestinezë, por hyrja e tyre në Rripin e Gazës është e ndaluar nga ushtria izraelite.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken njoftoi se rreth orës 7 të mëngjesit të kësaj të hëne ishte rënë dakord të hapej për disa orë kufiri me Egjiptin, që të kalonin civilët, të evakuoheshin shtetasit e huaj dhe të mallërat e ndihmave për banorët e Rripit të Gazës. Këtë lajm e përgjënjeshtroi më vonë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.
Autoritetet izraelite thanë se numri i pengjeve të marra nga Hamasi në sulmin e befasishëm të 7 Tetorit është më i madh se 150 dhe arrin deri në gati 200. Ushtria izraelite vijon të grumbullohet në kufijtë veriorë të Rripit të Gazës dhe është në pritje të nisjes së ndërhyrjes hakmarrëse tokësore. Ndërsa bombardimet izraelite mbi Gaza nuk kanë reshtur as në natën e kaluar. Numri i viktimave mes të dyja palëve ka arritur në 4300, shumica palestinezë.
Tv Klan