Mijëra njerëz marshojnë në Serbi një muaj pas tragjedisë në Novi Sad

Mijëra njerëz iu bashkuan një marshi protestues të dielën në qytetin verior të Serbisë, Novi Sad, për ta shënuar njëmujorin e shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, e cila la 15 të vdekur dhe 2 të plagosur.

Në ballë të marshit, protestuesit e mbajtën një pankartë të madhe që përmbante gjurmët e një dore me ngjyrë të kuqe, që ishte mesazh për autoritetet se kanë gjak në duart e tyre, raporton Associated Press.

Më vonë, pjesëmarrësit lanë të njëjtin mesazh simbolik mbi asfalt në sheshin kryesor në Novi Sad, si dhe e lyen me ngjyrë të kuqe pjesën më të madhe të sheshit.

Protestuesit e lyejnë me ngjyrë të kuqe sheshin në Novi Sad, 1 dhjetor 2024.
Protestuesit e lyejnë me ngjyrë të kuqe sheshin në Novi Sad, 1 Dhjetor 2024
Protesta bllokimi i rrugëve janë mbajtur pothuajse çdo ditë që nga shembja e strehës më 1 Nëntor, duke kërkuar përgjegjësi pasi betoni i strehës ranë mbi njerëz që ishin ulur ose po kalonin nën të, në një ditë me diell.

Ndërtesa e stacionit hekurudhor ishte rinovuar dy herë vitet e fundit. Shumë njerëz në Serbi besojnë se korrupsioni i përhapur dhe marrëveshjet e fshehta ndikuan në rinovim të dobët dhe shembje të strehës.

Derisa prokurorët kanë njoftuar për arrestimin e 13 personave, një gjykatë serbe e ka liruar nga paraburgimi ish-ministrin e Ndërtimit, Goran Veshiç. Kjo ka nxitur skepticizëm të gjerë për hetimin në vazhdim, pasi populistët kontrollojnë si policinë ashtu edhe gjyqësorin.

Marshimi të dielën në Novi Sad u mbajt në heshtje dhe kaloi paqësisht, ndryshe nga disa bllokime të rrugëve javët e fundit, kur mbështetësit proqeveritar kanë tentuar t’i pengojnë tubimet dhe janë përleshur me protestuesit.

Përleshje kanë shpërthyer gjithashtu në Parlamentin e Serbisë midis partisë në pushtet dhe deputetëve të opozitës.

Protestat shihen edhe si sfidë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, qeveria populiste e të cilit ka kontroll të fortë mbi mediat kryesore dhe institucionet, raporton Associated Press.

Vuçiç i mbrojti të dielën mbështetësit e vet që u shfaqën në protestat e udhëhequra nga opozita për bllokimin e rrugëve. Ai tha se bllokimi i rrugëve përbën “dhunën më ekstreme” kundër qytetarëve.

Partitë opozitare po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë dhe Qeverisë së tij, si dhe qasje në të gjithë dokumentacionin mbi ndërtesën e stacionit hekurudhor dhe projektet e tjera infrastrukturore të realizuara në bashkëpunim me kompanitë shtetërore kineze.

Stacioni në Novi Sad u ndërtua fillimisht në vitin 1964. Rinovimi i tij ishte pjesë e një projekti më të madh me Kinën dhe Hungarinë për ta ndërtuar një hekurudhë të shpejtë midis Beogradit dhe Budapestit./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share