Mijëra gra shtatëzëna ruse shkojnë të lindin në Argjentinë

Mbi 5 mijë gra shtatëzëna ruse kanë shkuar në Argjentinë në muajt e fundit, përfshirë 33 tjera në një fluturim të enjten, thonë zyrtarët.

Gratë që kishin arritur ishin në javët e fundit të shtatëzanisë, sipas agjencisë kombëtare të migrimit.

Besohet se ato donë që foshnjet e tyre të lindin në Argjentinë që të marrin nënshtetësinë e vendit.

Numri i tyre është rritur së fundi, për çka mediat lokale sugjerojnë se është rezultat i luftës në Ukrainë.

Nga 33 gratë që arritën në kryeqytetin argjentinas me një fluturim të enjten, tre prej tyre u arrestuan për shkak të “problemeve me dokumentacionin e tyre”, duke u bashkuar me tre të tjera që arritën një ditë më parë, tha për gazetën ‘La Nacion’, drejtoresha e agjencisë së migracioni, Florencia Carignano.

Gratë ruse fillimisht kishin pohuar se po vizitonin Argjentinën si turiste, tha ajo, raporton BBC, përcjell Klankosova.tv.

“Në këto raste u konstatua se ato nuk kanë ardhur këtu për t’u marrë me aktivitete turistike. Ato e kanë pranuar vetë”.

Ajo tha se gratë ruse donin që fëmijët e tyre të kishin nënshtetësi argjentinase, sepse kjo u jepte më shumë liri sesa një pasaportë ruse.

“Problemi është se ata vijnë në Argjentinë, regjistrojnë fëmijët e tyre si argjentinas dhe largohen. Pasaporta jonë është shumë e sigurt në të gjithë botën. Ajo lejon [mbajtësit e pasaportës] të hyjnë pa viza në 171 vende”, tha zonja Carignano.

Të kesh një fëmijë argjentinas gjithashtu përshpejton procesin e nënshtetësisë për prindërit. Siç qëndron tash, rusët mund të udhëtojnë pa viza në vetëm 87 vende.

Avokati i tre grave që u ndaluan të enjten tha se ato janë duke u “burgosur në mënyrë të rreme”, pasi mbahen nën dyshimin se janë “turiste false”. Ky është një term “i cili nuk ekziston në legjislacionin tonë”, tha Christian Rubilar.

“Këtyre grave që nuk kanë kryer krime, që nuk kanë shkelur asnjë ligj migracioni, po u hiqet liria ilegalisht”, shtoi ai.

Që atëherë gratë janë liruar.

“La Nacion” ia atribuoi luftës në Ukrainë rritjen dramatike të arritjeve të qytetareve rusë, duke thënë se “përveç arratisjes nga lufta dhe shërbimi shëndetësor i vendit të tyre, [gratë ruse] tërhiqen nga [e drejta] e tyre për hyrje pa viza në Argjentinë, gjithashtu si nga mjekësia e cilësisë së lartë dhe shumëllojshmëria e spitaleve”.

“Turizmi i lindjes” nga qytetarët rusë në Argjentinë duket të jetë një praktikë fitimprurëse dhe e mirë-vendosur.

Një faqe interneti në gjuhën ruse e parë nga BBC ofron paketa të ndryshme për nënat në pritje që dëshirojnë të lindin në Argjentinë. Faqja e internetit reklamon shërbime të tilla si plane të personalizuara të lindjes, marrje nga aeroporti, mësime në spanjisht dhe zbritje në koston e qëndrimit në “spitalet më të mira në kryeqytetin argjentinas”.

Paketat variojnë nga “klasa ekonomike”, duke filluar nga 5,000 dollarë, në “klasin e parë”, duke filluar nga 15,000 dollarë.

Faqja e internetit thotë se themeluesi i saj ka lehtësuar turizmin e lindjes dhe ka ofruar mbështetje për migracionin që nga viti 2015 dhe kompania thotë se është “100% argjentinase”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share