Prej thuajse një muaji, Rripi i Gazës është epiqendra e sulmeve ajrore dhe tokësore nga ushtria izraelite. Gjithçka nisi pas sulmit të 7 Tetorit ku grupi i Hamasit vrau rreth 1400 izraelitë.
Izraeli ka vendosur të hakmerret duke marrë jetë të pafajshme njerëzish. Mediat e huaja raportojnë se më shumë se 8500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë janë vrarë prej bombave.
James Elder, zëdhënës i UNICEF ka deklaruar sot se mijëra fëmijë janë vrarë në vetëm dy javë.
“Shifrat janë të tmerrrshme, thuhet se janë vrarë më shumë se 3,450 fëmijë dhe numri i viktimave sa vjen e rritet. Mesatarisht, çdo ditë vriten 420 fëmijë palestinezë. Është tronditëse deri në palcë!”, tha Elder.
Nga ana tjetër zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare Jens Laerke thotë se shumë fëmijë kanë mbetur nën rrënoja. Ai shton se janë shumë të pakta mundësitë që banorët të furnizohen me ujë, ushqim, ilaçe dhe karburant.
Mesa duket, bombat nuk janë i vetmi kërcënim. Ata që janë ende gjallë përpos traumës, nuk kanë mundësi as të ushqehen. Shumë foshnja po vdesin nga dehidrimi.
Philippe Lazzarini, komisioneri i përgjithshëm për Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë, tha se pothuajse 70% e palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës gjatë 3 javëve të fundit janë fëmijë dhe gra.
“Gaza është kthyer në një varrezë”, përfundoi ai./tvklan.al