MOSRESPEKTIMI MUND TË SJELLË NDËRPRERJE TË PROCESIT EUROINTEGRUES
Nuk kanë të ndalur mesazhet nga krerët e Greqisë drejtuar qeverisë së re të RMV-së për shkeje të marrëveshjes së Prespës. Në takimin e djeshëm të Këshillit të Evropës kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotakis për këtë çështje njoftoi kolegët e tij, se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova, nuk respektojnë marrëveshjen ndërmjet dy vendeve.
“Unë mora iniciativën dhe i njoftova kolegët e mi në Këshillin Evropian për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, për faktin se edhe presidenti edhe kandidati për kryeministër në fakt po shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Prespës duke e injoruar atë në praktikë erga omnes dhe duke zgjedhur përdorimin e një emri të ndryshëm nga emri i përcaktuar me Kushtetutë të vendit për përdorim të brendshëm, i cili është plotësisht në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Prespës” – tha Micotakis.
Micotakis u shpreh i prerë se nëse Shkupi insiston në këtë linjë, do ta bëjë më të vështirë ose mund të ndërpres çdo preces të integrimit të shpejtë në Bashkimin Evropian.
“E kam bërë absolutisht të qartë se nëse Shkupi insiston në këtë linjë, në thelb do ta bëjë jashtëzakonisht të vështirë, nëse jo në praktikë, anulimin e çdo procesi të konvergjencës së shpejtë me familjen evropiane. Pra, mendoj se të gjithë duhet të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre dhe të dinë se respektimi i legjislacionit evropian padyshim që kalon përmes respektimit me besnikëri të marrëveshjeve ndërkombëtare që janë nënshkruar, në këtë rast, nga të dyja palët” – tha Micotakis.
Ndërkaq, pas takimit të presidentes së vendit Gordana Siljanovska Davkova me delegacionin nga Unioni i Shoqatave të Maqedonasve dhe Fëmijëve refugjatë nga pjesa e egjeut të Maqedonisë, vërshuan reagimet në rrjetet sociale. Partia SYRIZA dënoi qëndrimin siç e quajtën ‘irredentistë’ të presidentes Siljanovska e cila, sipas tyre, ka shkelur rëndë nenin 4 të Marrëveshjes së Prespës. Kjo parti kërkoi nga qeveria e Micotakis që të zgjohet nga letargjia diplomatike në të cilën ka rënë dhe të ndërkombëtarizojë menjëherë çështjen, në mënyrë që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të përballet me përgjegjësitë e saj, të cilat i referohen procesit të anëtarësimit të saj në BE dhe vendosja e sanksioneve për ata që shkelin Marrëveshjen e Prespës sipas legjislacionit amerikan të vitit 2021. /tvklan.mk/
PËRGATITI: XHUMADIJE IBRAHIMI