Mickoski paralajmëron shfuqizimin e Qeverisë teknike!

VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit kanë ndarë postet ministrore si dhe kanë arritur marrëveshje për eshalonin e dytë dhe të tretë, përkatësisht zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë dhe postet e drejtorëve. Mickoski nesër pret që ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe, siç paralajmëroi, nuk do të duhet të presë shumë për ta dorëzuar në Kuvend propozimin për Qeverinë e re.

Negociatat janë duke përfunduar, tashmë janë përfunduar deri diku, në pjesën e formimit të dikastereve qeveritare. Negociatat kanë përfunduar dhe, thënë kushtimisht e kusht, eshaloni i tretë”, tha Hristijan Mickoski kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski nuk deshi të zbulojë se cilët persona do të propozohen nga VMRO-DPMNE për ministra. Ai u përgjigj se konsultimet brendapartiake po vijojnë.

Sipas informacioneve të TV21, Timço Mucunski do të udhëheq me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Gordana Koçovska Dimitrievska me Ministrinë e Financave, ndërsa Stefan Andonovski me Ministrinë e re të Digjitalizimit. Jozyrtarisht, Sanja Bozhinovska përmendet si ministre e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Cvetan Tripunovski si Ministër i Bujqësisë, Borko Ristovski Ministër i Sportit, ndërsa në MPB do të zgjidhet mes Pançe Toshkovskit dhe Igor Janushev.

Mickoski sot në Kuvend e ka dorëzuar propozimin për riorganizimin e organeve të administratës shtetërore. Qeveria e re propozon krijimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Ministrinë e Digjitalizimit dhe Ministrinë e Administratës.

Mandatari i ardhshëm pret që nevoja për këto ndryshime ligjore të miratohet të premten në seancën e Kuvendit, ndërsa ministritë e reja të formohen të martën e ardhshme. Ai kërkoi mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare, duke qenë se bëhet fjalë për ligj reformues, për të cilin nevojiten 80 vota “PËR”. Mickoski nuk është përgjigjur konkretisht nga kush pritet mbështetje, pasi koalicioni i tij numëron 78 deputetë.

Të mos supozojmë. Mendoj se e dini se ne nuk jemi politikanë fillestarë dhe naivë për të besuar në rastësi. Rastësitë janë shumë të rralla në politikë, deklaroi Mickoski.

Sipas marrëveshjes, nga Koalicioni VLEN, ministër i Ekologjisë do të jetë Izet Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari, ndërsa ministri i Ekonomisë do të jetë Besar Durmishi.

Jozyrtarisht Fatmir Limani pritet të jetë ministër  për politika sociale, ndërsa Admirim Aliti  ministër për integrimet evropiane. Bujare Abazi, do të jetë ministre pa portofol e ngarkuar për qeverisjen të mirë. Ministre e Drejtësisë duhet të jetë Vesna Bendevska nga ZNAM, ndërsa pritet që kjo parti të marrë edhe Ministrinë e Administratës.

Përveç ligjit për riorganizimin e organeve të administratës, Mickoski pret mbështetje prej 2/3 për Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, sepse, siç thotë ai, mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve duhet të ndryshohet. Po ashtu, Mickoski bëri të ditur se një nga detyrat e përbërjes së ardhshme parlamentare do të jetë edhe shfuqizimi i Qeverisë teknike.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share