Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, Christian Mickoski reagoi edhe njëherë për çështjen e emrit të vendit, pas kritikave nga fqinjët, por edhe partnerët ndërkombëtar.
Mickoski shprehu angazhimin e tij se emri kushtetues, Maqedonia e Veriut do të përdoret në komunikimin zyrtar dhe se do të zbatojë Marrëveshjen e Prespës, teksa shtoi se ai vetë do ta quajë vendin “Maqedoni”.
“Gjithçka e përfshirë në marrëveshjen e Prespës, përfshirë edhe pjesën e emrit, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë. Në fakt, në certifikata ku vërtetohet mandati i deputetëve tanë, përdoret identifikimi i emrit. Edhe projektligji që hodhëm sot u shtrua me atë emërtim. Por e drejta ime njerëzore, e garantuar me shumë konventa, është e drejta e lirisë së fjalës dhe shprehjes. Nuk inatosem me politikanët kur nuk thonë emrin e plotë të vendit të tyre. Për mua atdheu im në çdo deklaratë që bëj është Maqedonia dhe do të mbetet Maqedoni”, tha Mickoski.