Mickoski: Koalicioni kriminal në pushtet po e mbyt shtetin

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së, në intervistën e tij për portalin Republika, ka folur për raportin e fundit të KE-së për Maqedoninë. Sipas Mickoskit, BE-ja ka konstatuar atë që ai dhe VMRO e kanë paralajmëruar prej kohësh, përcjell KlanM.

“Nuk më habit sepse ne vazhdimisht kemi paralajmëruar se kjo po ndodh, këtë e ka konfirmuar edhe BE-ja. Qytetarët janë dëshmitarë të realitetit në Maqedoni, se është e vështirë të jetohet, se fatkeqësisht kemi një koalicion politik kriminal që udhëheq me qeverinë në Maqedoni”, tha Mickoski.

Kryeopozitari Mickoski duke shpjeguar situatën aktuale në vend, u shpreh se fatkeqësisht, sipas tij, krimi dhe korrupsioni janë në rritje dhe po lulëzojnë në Maqedoni dhe prandaj, siç thotë ai, e gjithë kjo nuk mund të mos përshkruhet në një raport, të cilin ai e quan “raport të regresit”, e jo të progresit të vendit.

“Inflacioni thyen rekorde, standardi është i ulët, nxënësit në shkolla janë këtu në nëntor, për pak kohë do të përfundojë dhe gjysma e parë e vitit ende nuk ka marrë tekste, shëndetësia maqedonase është tronditur nga skandali që është rezultat i mafies së kancerit ne Kliniken e Radiologjisë dhe Onkologjisë. Pensionistët protestojnë sepse pensionet nuk iu dalin as për të paguar barnat e lëre për diçka më shumë, të rinjtë largohen, apati e plotë, pa investime, kontratat dhe menaxhmenti i projekteve është në nivelin më të lartë. Por, për fat të keq, korrupsioni dhe krimi janë në rritje dhe lulëzim, e kam fjalën edhe për krimin e vërtetë edhe për krimin politik dhe nuk ka sesi të mos portretizohet në një raport si ky për regresin e Maqedonisë, jo për përparimin”, deklaroi Mickoski.

Mickoski edhe një herë u shpreh se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share