“OSMANI NUK KA KREDIBILITET TË NEGOCIOJË PËR IDENTITETIN MAQEDONAS”
Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski ka ftuar kryeministrin Dimitar Kovaçevski në duel televiziv, njofton KlanM.
Duke u përgjigjur sot për gazetarët gjatë një aktiviteti të tij në rrethinën e Kavadarit, rreth procesit të ndryshimeve kushtetuese, ai bëri ftesë Kovaçevskit që të flasin për këtë temë hapur publikisht para opinionit dhe më pas populli të gjykojë vet.
“Që të mos ketë më thash këtë, thash atë, takim të ekipeve, takim të liderëve, ja publikisht para opinionit maqedonas, sy më sy të themi atë që duam dhe populli le të gjykojë dhe le të vendosë” – tha Mickoski.
Përgjigjen nga LSDM-ja. Sipas socialdemokratëve, Mickoski dhe Kovaçevski patën takim liderësh ku u biseduan cështjet rreth ndryshimeve kushteteuse.
“Tani është koha të nisin punët dhe të ndërpriten bllokimet, për shkak se humbim kohë. Maqedonia duhet të miratojë vendimin për të ardhmen evropiane dhe duhet të vazhdojë dialogu përmes grupeve të punës. Në vend të TV dueleve të padobishme, i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së, ta mbajë premtimin dhe të caktojë përfaqësues në grupin e punës” – deklaroi Kaevski, LSDM.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, duke komentuar deklaratën e Ministrit Osmani se Bullgaria nuk mund të vendos kushte tjera, ka theksuar se Osmani nuk ka kredibilitet të negociojë me Bullgarinë, për cështjet e identitetit, gjuhës dhe kulturës maqedonase.
“Bujar Osmani nuk ka kredibilitet që të negociojë për identitetin tim maqedonas dhe të më tregojë çfarë mendoj dhe si mendon Bullgaria, sepse shumë herë me veprimet e tij në të kaluarën, në vend si ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, ku populli maqedonas është shumicë, të tregojë respekt bazë dhe elementar, ai ka bërë lëshime dhe jo vetëm që s’ka treguar respekt, por edhe e ka shkelur atë” – tha Mickoski.
Osmani, sic njofton KlanM, të enjten nga Forumi i Prespës, porositi se, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, Bullgaria nuk do të mund të vendosë kushte të reja, pasi korniza negociuese është përmbyllur. /KlanMacedonia/