Kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski ka lëshuar një sërë akuzash drejt pushtetit. Sipas tij, qeveria është drejt shkatërrimit, ndërsa në institucionet e shtetit mbizotëron anarkia, përcjell Klan Macedonia.
Sipas Mickoskit, pronar i vërtetë i qeverisë dhe institucioneve është BDI-ja e Ali Ahmetit, për të cilën tha se i ka “kidnapuar” kryeministrin dhe presidentin.
“LSD është një parti e rrëmbyer dhe shërbëtor i partnerit të vërtetë dhe më të madh në qeveri, që është BDI, e cila ka qenë në pushtet për 20 vite dhe me kalimin e viteve është bërë një grup i kriminalizuar i rrjetëzuar fuqishëm dhe i ngulitur në institucionet shtetërore”, thotë Mickoski.
Mickoski shtoi se nuk është vetëm LSDM në pronësi të BDI-së, por edhe presidenti i shtetit, Pendarovski.
“Pendarovski 4 vite e më shumë e ka humbur rastin të jetë president i të gjithë qytetarëve me veprimet e tij, ka treguar dhe dëshmuar se është president vetëm i atyre të paktëve të cilët ende e mbështesin atë. Prandaj u them se ata e kanë rrëmbyer edhe presidentin e shtetit, ai është Pendarovski”, ka theksuar kryetari i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski ka përmendur edhe ligjet për Korridorin 8 dhe atij 10D, për të cilat, sipas tij, edhe Pendarovski kishte pasur dyshime në fillim, por në fund i kishte dekretuar të gjitha./KlanMacedonia