Mick Schumacher largohet nga Haas

Skuderia amerikane refuzon rinovimin e kontratës me pilotin gjerman

Vetëm dy vite ka zgjatur aventura e Mick Schumacher te skuadra amerikane HAAS. Gjermani është larguar nga skuderia e Formula Një, pas rezultateve aspak premtuese. Djali i shtatë herë kampionit të këtij sporti, Michael Schumacher nuk i është ofruar rinovimi i marrëveshjes nga HAAS, të cilët kanë gjetur edhe pasuesin e tij. Vendin e Mick te skuadra amerikane do të marrë Nico Hulkenberg, i cili garën e tij të fundit në Formula Një e ka kryer tre vite më parë.

Vendi më i mirë i arritur nga Mick gjatë dy edicioneve të Botërorit të shpejtësisë ishte një vend i gjashtë, arritur këtë vit në Çmimin e Madh të Austrisë. Gjermani shprehu mërzinë në rrjetin social “Instagram”, ku ka pranuar se pjesëmarrja në Çmimin e Madh të Abu Dabit do të jetë e fundit për të me HAAS, por jo e fundit në Botërorin e Formula Një.

“Nuk dua ta fsheh faktin se jam shumë i zhgënjyer nga vendimi për të mos rinovuar kontratën. Do të doja të falënderoja Haas për këtë mundësi. Kur gjërat u ndërlikuan, kuptova se sa e dua këtë sport. Këto kanë qenë kohë të vështira, por përmirësimi ka qenë i vazhdueshëm, kam mësuar shumë dhe e di që e meritoj një vend në F1. Hapat prapa vetëm ju bëjnë më të fortë, unë do të luftoj për t’u rikthyer sërish këtu” shkruan Mick në statusin e tij.

23-vjeçari synon tashmë për një rol si shofer rezervë në skuderinë gjermane, Mercedes. Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share