MF: Plani i qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike u miratua nga Qeveria e RMV-së

Përmes masave dhe rekomandimeve konkrete të integruara në Planin e qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike, do të optimizohen shpenzimet dhe do të bëhen kursime nga shfrytëzuesit buxhetorë, ndërmarrjet publike, shoqëritë tregtare në pronësi shtetërore, si dhe vetëqeverisjet lokale dhe ndërmarrjet publike lokale. Plani i qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike, i përgatitur nga Ministria e Financave u miratua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Plani është pjesë e përcaktimit të Ministrisë së Financave për konsolidim gradual fiskal. Ai përfshin masa konkrete të cilat përmes racionalizimit, kursimeve dhe rritjes së arkëtimit (inkasimit) të të hyrave burimore do të kontribuojnë në zvogëlimin e deficitit dhe borxhit buxhetor, përcaktim i cili është vendosur edhe me Strategjinë fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2024-2028”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Masat e përfshira në këtë plan janë strukturuar në tri grupe. Grupi i parë përfshin masat dhe rekomandimet për uljen e shpenzimeve, grupi i dytë përfshin masat dhe rekomandimet për përmirësimin e arkëtimit të të hyrave buxhetore dhe grupi i tretë përfshin masat dhe rekomandimet për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi shtetërore në drejtim të optimizimit të shpenzimeve në punën, rritjen dhe përmirësimin e arkëtimit të të hyrave që janë në kompetencë të tyre.

Masat dhe rekomandimet për uljen e shpenzimeve u referohen konsolidimit dhe racionalizimit të shpenzimeve për pagat dhe kompensimet. Ndër masat janë racionalizimi dhe optimizimi i të punësuarve në sektorin publik, rritja e efikasitetit dhe produktivitetit të të punësuarve, si dhe racionalizimi i numrit të vendeve të punës për shkak të përforcimit të kapaciteteve institucionale për nevojat e procesit të negociatave me BE-në. Punësimet e reja duhet të realizohen kryesisht përmes mobilitetit dhe transferit të të punësuarve nga institucionet e tjera të sektorit publik. Konsolidimi dhe racionalizimi i shpenzimeve për mallra dhe shërbime parashihet përmes uljes së shpenzimeve joproduktive dhe shfrytëzimit më efikas të burimeve të punës, uljes së konsumit të energjisë elektrike, uljes së shpenzimeve për telefona, reprezentime, reklama, udhëtime zyrtare, përmes kushteve dhe kritereve më restriktive për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare, si dhe uljes së shpenzimeve për shërbimet kontraktuese.

Rekomandohet racionalizimi i shpenzimeve për subvencione dhe transferta, si dhe masa për realizim cilësor dhe në kohë të projekteve kapitale.

Përmirësimi i arkëtimit të të hyrave pritet të arrihet përmes përmirësimit të rregullativës tatimore, përforcimit të kapaciteteve të administratës tatimore, përmirësimit të efikasitetit të sistemit të arkëtimit të të hyrave nga akciza, përforcimit të aktiviteteve për parandalimin e evazionit tatimor, detektimit dhe menaxhimit në mënyrë më efektive të ekonomisë joformale.

Plani përfshin masa dhe rekomandime që u referohen shoqërive tregtare në pronësi shtetërore. Njëkohësisht, rekomandohet që ndërmarrjet që punojnë me humbje t’i ulin shpenzimet e përgjithshme për 20% dhe ta ulin numrin e të punësuarve me kohë të pacaktuar. Për të gjitha ndërmarrjet parashihet ulja e shpenzimeve për shërbimet kontraktuese, ndërmarrja e masave për rritjen e arkëtimit të kërkesave, ulja e shpenzimeve për reprezentime, sponsorizime, reklama, udhëtime zyrtare, prokurime sa i përket mobilieve dhe pajisjeve, si dhe parashihet edhe ulja në minimum e prokurimit të veturave, përfshirë edhe lizingun.

Me anë të këtij plani u rekomandohet njësive të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjeve publike lokale dhe institucioneve të tjera të themeluara nga komuna të ndërmarrin masa dhe aktivitete për konsolidimin e buxheteve dhe planeve të tyre financiare, përmes rritjes së arkëtimit të të hyrave burimore dhe reduktimit të shpenzimeve më pak prioritare.

Plani është përkrahje në drejtim të përkushtimit strategjik afatmesëm të Ministrisë së Financave për zvogëlimin gradual të deficitit buxhetor dhe vënien në funksion të shpenzimeve sa i përket arritjes së prioriteteve strategjike, resprektivisht përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe plotësimit të proceseve integruese të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në BE.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share