Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka vizituar sot Spitalin Klinik në Shtip, me rastin e blerjes së pajisjeve të reja mjekësore – aparatura laparoskopike dhe endoskopike, aparatit të ri të ultrazërit me ngjyra doppler me dy sonda dhe kompletit cisto-uretroskopik.
Në vijim ju përcjellim fjalimin e plotë të tij:
„Sot jemi në vizitë në Spitalin klinik në Shtip, për të promovuar aparaturën e re laparoskopike dhe endoskopike të blerë nga Ministria e Shëndetësisë, në vlerë prej 11 milionë denarë.
Bëhet fjalë për pajisje që do të përdoren nga specialistët e repartit kirurgjik, neurokirurgjik, ortopedik dhe urologjik për procedura minimale invazive. Kjo do të kontribuojë në më pak humbje gjaku, më pak rrezik për infeksione, qëndrim më të shkurtër në spital, shërim më të shpejtë të pacientëve, si dhe rezultate shumë më të mira sesa ndërhyrjet e hapura kirurgjikale.
Përveç kësaj pajisjeje, ju njoftoj se kemi blerë edhe aparatin e ri ekografik color doppler me dy sonda për ekzaminim të barkut dhe tiroides në vlerë prej 2,5 milionë denarë. Gjithashtu, me mjete nga buxheti i Ministrisë kemi siguruar një komplet cisto-uretroskopik në vlerë prej 433 mijë denarë, me të cilin i përmirësuam kushtet në spitalin e Shtipit.
Vitin e kaluar, ne vërtet punuam shumë intensivisht për të forcuar institucionet shëndetësore publike në të gjithë vendin. Ne jemi në terren çdo ditë duke promovuar pajisje të reja, rikonstruksione dhe duke investuar në punonjësit mjekësorë. Vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe në periudhën e ardhshme, punojmë me përkushtim në interes të pacientëve dhe profesionistëve të shëndetësisë“, thekson Mexhiti.