“Me kënaqësi të madhe mund tju informoj se tre fëmijë të guximshëm, me sëmundje të rrallë, morën ilaçin e nevojshëm që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Për herë të parë me një prokurim publik për sigurimin e barnave për sëmundje të rralla për vitin 2023, është prokuruar një bar për pacientët me sëmundje të rralla Achondroplasia.” – njoftoi Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Mexhiti informoi se ilaçi Vosoritide është dorëzuar në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve dhe është siguruar për tre pacientë, siç kërkohet nga vetë klinika.
Për blerjen e ilaçit Vosoritide, në Buxhetin e Programit për trajtimin e personave me sëmundje të rralla janë siguruar edhe 50 milionë denarë shtesë.
Ilaçi është thelbësor për trajtimin e sëmundjes dhe ndikon në stimulimin e zhvillimit të pacientëve me akondroplazi, një sëmundje që manifestohet me një rritje te ulët, e cila shfaqet menjëherë pas lindjes.