Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe Zëvendës Ministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva, morën pjesë sot në prezantimin e helikopterit me pajisjet e reja të ndihmës emergjente mjekësore.
Në prononcimin e tij për media, Mexhiti theksoi se po bëhet një hap i rëndësishëm për qytetarët tanë, për mbrojtjen e pacientëve dhe për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor.
“Me këtë bashkëpunim mes dy ministrive të Shëndetësisë dhe Punëve të Brendshme, mundësojmë veprimin e përbashkët të pjesëtarëve të njësisë së helikopterëve pranë MPB-së dhe institucioneve shëndetësore, pra përdorimin e helikopterit për transportin e pacientëve. Helikopteri ka pajisje mjekësore për transportin ajror dhe SPQ “8 Shtatori” do të sigurojë një ekip profesional me përvojë për të shoqëruar pacientin. Në këtë mënyrë ne ofrojmë mbrojtje më të mirë si dhe transport më të shpejtë të pacientëve drejt institucioneve shëndetësore. Më vjen mirë për bashkëpunimin, i cili do të përmirësohet edhe më shumë dhe do të mundohemi ta zhvillojmë edhe më tej, dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta dinë se ne jemi gjithmonë këtu për nevojat e tyre”, tha Mexhiti.
Zv. Ministrja Manoleva, informoi se pajisjet përfshijnë monitorë për monitorimin e parametrave vitalë dhe monitorim invaziv, defibrilator, bojë oksigjeni, aspirator, si dhe ilaçe dhe instrumente të tjera mjekësore.
“Do të sigurohen pajisje shtesë në varësi të diagnozës së pacientëve që do të duhet të transportohen. Përveç pajisjeve mjekësore, në helikopter ka një mjek dhe një infermiere. Transporti është plotësisht falas për pacientin, dhe nevoja për një transport të tillë do të vlerësohet nga drejtori i institucionit nga është kryesisht pacienti, si dhe sipas urgjencës së situatës. Tendenca jonë është që në të ardhmen të krijojmë edhe “call center” të veçantë përgjegjëse për koordinim, si dhe të zgjerojmë projektin duke përfshirë më shumë qendra”, deklaroi Manoleva.
Mëngjesin e sotëm është kryer fluturim testues nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” – Shkup për në Spitalin Klinik Manastir si një nga pikat më të largëta./KlanMacedonia