Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti sot vizitoi shërbimin Emergjent mjekësor në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit ISHP Shkup, me qëllim për tu informuar mbi punën, e cila është me volum të shtuar për shkak të temperaturave të larta që kanë prekur vendin.
Mexhiti foli me punonjësit shëndetësorë që janë pjesë e këtij shërbimi dhe që janë në krye të detyrës kur bëhet fjalë për emergjencat që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, gjithashtu duke u interesuar për sfidat me të cilat përballen çdo ditë në terren.
Gjatë takimit, Mexhiti theksoi se Shërbimi Emergjent Mjekësor luan një rol kyç në ofrimin e kujdesit shëndetësor në kohë dhe adekuat për pacientët dhe pikërisht për këtë Ministria e Shëndetësisë po punon në përmirësimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.
Ai njoftoi se Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar kërkesë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për prokurimin e 22 automjeteve të reja për nevojat e asistencës Emergjente mjekësore, të cilat janë planifikuar të shpërndahen në të gjithë vendin në mënyrë që të ofrojnë kujdes shëndetësor edhe më efikas për pacientët.
Ky informacion u mirëprit nga punonjësit shëndetësorë në Shtëpinë e Shëndetit ISHP Shkup, të cilët e njoftuan Ministrin se nisma e shpallur për blerjen e automjeteve të reja do të jetë me rëndësi të madhe në drejtim të avancimit të punës së tyre.