Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe Zëvendës Ministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva, kanë vizituar sot Poliklinikën Zhelezara me rastin e blerjes së pajisjeve të reja mjekësore – mamografisë digjitale me stereotaksi dhe aparatit ECHO ultrazë me dy sonda, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë.
Në deklaratën për media, Ministri Mexhiti informoi se ky mamograf digjital paraqet pajisjen më të sofistikuar që përdoret në të gjitha objektet shëndetësore në mbarë botën dhe konsiderohet si një metodë moderne për detektimin e kancerit të gjirit në një fazë të hershme. Me blerjen e aparatit do të ngrihet dhe përshpejtohet cilësia e kujdesit shëndetësor për pacientët.
“Për vitin e ardhshëm është planifikuar një rritje e numrit të kabineteve oër skrining të kancerit të gjirit në përputhje me rregullat dhe protokollet e vendosura, të miratuara nga Komisioni Kombëtar për Skrining dhe Zbulimin e Hershëm të Kancerit të Gjirit. Krijohet një klinikë detektuese e kirurgjisë torakale për ekzaminimin e pacientëve që kanë bërë eho mamografi, biopsi dhe një gjetje të konfirmuar histopatologjike dhe ata referohen drejtpërdrejt nga mjeku radiolog specialist në klinikën e kirurgjisë torakale për të caktuar termin për ndërhyrje kirurgjikale. Këtë mundësi deri më tani radiologët tjerë specialistë nuk e kanë pasur as në procedurat diagnostike”, ka thënë Mexhiti.
Zëvendësministrja Manoleva theksoi se Ministria do të vazhdojë të investojë në pajisje të reja mjekësore, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e kuadrove në institucionet publike shëndetësore.
“Me këtë rast dua të apeloj për rëndësinë e ekzaminimeve të rregullta parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të grave. Ekzaminimi në kohë, veçanërisht kur bëhet fjalë për kancerin e gjirit, mund të shpëtojë një jetë.
Me programin e skriningut janë përfshirë gratë e grupmoshës 45 deri në 69 vjeç që nuk kanë bërë mamografi në dy vitet e fundit, si dhe gratë e moshës 40 deri në 44 vjeç që kanë një anëtar të familjes me kancer gjiri ose një faktor tjetër rreziku, kanë mundësi që me vetë iniciative të paraqiten për t’u regjistruar për mamografi skriningu. Regjistrimi bëhet në ueb faqen: www.skrining.zdravstvo.gov.mk ose në numrin e telefonit 15444. Mamografia për skrining është falas për gratë në program, përkatësisht participimin e mbulon Ministria e Shëndetësisë”, tha Manoleva.
Drejtori i Poliklinikës Zhelezara, Aleksandar Veljanovski, falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë që ju doli në ndihmë për të blerë mamografinë digjitale.
“Në territorin e Komunës së Gazi Babës nuk ka asnjë mamografi tjetër dhe pacientët do të kenë mundësi të kryejnë kontrollet e tyre këtu. Në vitin aktual 2023, Poliklinika Zhelezara ka blerë pajisje shtesë mjekësore në vlerë prej 3 milionë denarë, të cilat ishin të nevojshme për punën tonë. Për vitin 2024 kemi planifikuar disa risi, përkatësisht blerjen e testeve të alergjisë. Puna e dytë që po planifikojmë është që një nga mjekët e mjeksisë së punës të dërgohet për subspecializim, të hapim një klinikë pulmoallergjike dhe e treta është që jemi në negociata për blerjen e një skaneri Teksa, për këtë do të diskutojmë përsëri me Ministrinë e Shëndetësisë, sepse është i nevojshëm për zbulimin e hershëm të osteoporozës tek pacientët”, tha Veljanovski.