Spitalet publike në Maqedoninë e Veriut po përballen me mungesa të mjekëve dhe infermierëve, të cilët po largohen nga vendi. Kjo nuk është sfida e vetme e sektorit të shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut. Gjendja e disa spitaleve maqedonase është e mjerueshme, thotë Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, i cili këto ditë po qëndron në Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Mexhiti tha se para disa ditësh e kanë plotësuar një premtim të tyre për rritjen e pagave për punonjësit shëndetësor.
“Para disa ditësh, një nga pikat që kemi premtuar, u plotësua. Rritëm pagat për punonjësit shëndetësorë, për mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë. Por nuk do të ndalemi me kaq. Për vitin e ardhshëm do të mundohemi, normalisht në bazë të buxhetit… e dimë se pas pandemisë COVID, pas krizës ekonomike, arka e shtetit nuk është në gjendje të mirë. Do të mundohemi që së bashku me ministrinë e Financave dhe fondin për sigurim shëndetësor, jo të rrisim pagat, por që punonjësit shëndetësorë të marrin atë që meritojnë, të paguhen për punën që bëjnë. Unë nuk do të ndalem këtu, gjithmonë do të mbajë anën e punonjësve shëndetësorë”, tha Mexhiti.
I pyetur për Qendrën e re klinike në Shkup, e cila është premtuar nga të gjitha qeveritë në RMV, Mexhiti tha se është i interesuar që njëherë e përgjithmonë shëndetësia në vend të rregullohet.
“Ky është një projekt kapital. Është një projekt shumë i mirë që duhet të vazhdohet. Ne në kabinet kemi njerëz profesionistë, të të gjitha lëmive shëndetësore. Ne kemi vendosur që për këtë projekt ta kemi edhe një koncept, së bashku me qendrën e re klinike në Shkup. Një koncept për regjionalizimin e komplet shëndetësisë në vend. Që do të thotë se me disa qendra të tjera spitalore të funksionojë shëndetësia në Maqedonia e Veriut”, tha Mexhiti./VOA/