Mësimdhënësit rumunë, të gatshëm ta ndërpresin grevën

Mësimdhënësit rumunë kanë bërë të ditur se do t’i japin fund grevës së tyre tre-javore për pagat, nëse qeveria përfshin mësues të rinj në legjislacionin e urgjencës për të rritur pagat.

Qeveria ra dakord të rriste pagat për 25 për qind duke filluar nga ky muaj dhe t’u jepte atyre një bonus vjetor të financuar nga Bashkimi Evropian prej 325 dollarë deri në vitin 2027.

Sindikatat kishin kërkuar që mësimdhënësit e rinj, të cilët aktualisht fitojnë 520 dollarë në muaj – që është pak më shumë se gjysma e pagës mesatare prej 980 dollarë – të merrnin një rritje prej 31 për qind.

Drejtuesit e sindikatave thanë se nëse dekreti i urgjencës që do të dalë më 12 qershor nuk përfshin këtë rritje për mësimdhënësit e rinj, ata do të rifillojnë grevën.

Gjatë tri javëve të fundit, dhjetëra mijëra mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme në Rumani marshuan drejt ndërtesës së qeverisë në qendër të Bukureshtit, duke bërë thirrje për paga më të mira, më shumë investime në arsim dhe një reformë të sistemit arsimor të vendit.

Organizatorët e sindikatës kanë vlerësuar se 15.000-20.000 mësues morën pjesë në protestë.

Drejtuesit e sindikatave kanë refuzuar ofertat e qeverisë për kompromis gjatë disa rundeve të negociatave që kur mësimdhënësit u futën në grevë më 22 maj.

Rreth 100.000-150.000 mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme ndaluan punën, derisa kërkuan që qeveria e koalicionit të përmbushë kërkesat e tyre.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e hekurudhave kanë sinjalizuar gjithashtu se po përgatiten të hyjnë në grevë.

Kërkesa kryesore e grevistëve është një pagë fillestare për mësuesit e rinj të paktën e barabartë me mesataren e vendit.

Paga mujore e një mësuesi rumun të sapo-diplomuar është pak më shumë se 520 dollarë (480 euro), ndërsa paga mesatare në vend është 988 dollarë (rreth 913 euro)./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share