Kandidati presidencial, Stevo Pendarovski, gjatë një tubimi parazgjedhor në Gjevgjeli, i ka quajtur aventurë të rrezikshme pretendimet e disa partive politike dhe kandidatëve presidencial për shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës.
“Kjo do të thotë përjashtim nga NATO-ja. Është një aventurë e rrezikshme. 30 vite, të gjitha garniturat politike kanë bërë përpjekje për anëtarësim në NATO, për të marrë “tapinë” e sigurisë sonë. Shfuqizimi i Prespës është marrëzia dhe tragjedia më e madhe politike, për shkak se do të mbetemi të vetëm” – deklaroi Pendarovski.
BE-ja të jetë bashkësi e parimeve e jo maqineri burokratike – ka deklaruar në intervistën për Agjencinë e Lajmeve MIA, kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, duke potencuar se për Kornizën Negociuese për vazhdimin e negociatave me BE-në mund të gjendet një zgjidhje.
“Madje edhe me interpretimin ndryshe të kësaj kornize negociuese, pasi nuk është Bibël, Kuran apo Tora. Nëse në kornizën negociuese kanë shkruar se hynë edhe Traktati i Miqësisë me Bullgarinë dhe nëse në këtë Marrëveshje ka preambulë ku thuhet se Bullgaria obligohet ta ndihmojë Maqedoninë drejt BE-së, nëse vetoja është ndihmë, atëherë unë kam probleme me njohjen e të drejtës evropiane” – tha Siljanovska.
Karvani presidencial I kandidatit të “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, gjatë ditës së djeshme ka bërë një itinerar jo të zakonshëm. Të paktën kur janë në pyetje kandidatët apo partitë shqiptare.
Fillimisht, bashkë me kreun e TDP-së, Bejxhan Iljas, ka qëndruar në pjesën lindore të vendit, në Radovish, për të vazhduar në Shtip dhe për të përmbyllur aktivitetet në fshatin Buzallkovë të Velesit.
Ndërkaq, kandidati për President i koalicionit VLEN, Arben Taravari, ka takuar anëtarët e Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art me seli në Tetovë. Taravari paraqiti prioritetet e platformës së tij presidenciale në lidhje me shkencën.
“Të bëhet ose Institut ose Akademi për shkenca dhe arte të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ose të gjejmë zgjidhje disi të jetë si sektor në Akademinë aktuale të shkencave dhe arteve të Maqedonisë. Për të gjitha opsionet do të bisedojmë dhe shpresoj se do të gjejmë zgjidhje, kjo shoqatë të institucionalizohet ashtu siç duhet” – tha Taravari.
“Do ta kthejmë dinjitetin e kombit” – ka qenë zotimi I kandidates presidenciale të “Levicës”, Biljana Vankovska. Pjesë e programit të saj është edhe miratimi I një kushtetute të re, moderne dhe bashkëkohore për shekullin 21, sic thuhet, për kombin modern maqedonas.
“Marrëveshjet që i kontestoj në program janë tre, që janë imponuar nga jashtë ose janë bërë me dhunë ose me ndërmjetësimin e të huajve. Lista e kërkesave duket se nuk po ndalet dhe çështja e Kushtetutës mbetet temë kyçe e këtij debati, për shkak se s`ka debate, kandidatët nuk duan të përballen” – deklaroi Vankovska.
Të ristartohen fabrikat për prodhimin e armëve. Kërkesa vjen nga kandidati presidencial I partisë “Grom”, Stevco Jakimovski. Shkak për këtë ai përmend zhvillimet në Ukrainë.
“Është e qartë se u harxhuan të gjitha rezervat e armëve dhe pajisjeve si dhe municioneve në gjithë botën dhe kjo do të zgjasë edhe në të ardhmen. Kjo do të thotë se ekonomia maqedonase urgjentisht duhet të mendojë për zhvillimin e kësaj industrie. Në Fakultetin e Maqinerisë në Shkup patjetër të hapet katedra për armatim” – tha Jakimovski.
Të ulet numri I deputetëve në parlament dhe të shfuqizohet apanazha. Kërkesa vjen nga kandidati presidencial I Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski.
“Jo vetëm që duhet të ulet numri I deputetëve në Parlament, port ë barazohet edhe vota në Maqedoni. Maqedonia të bëhet një njësi zgjedhore, të shfuqizohen disa ministrë që harxhojnë shumë para, të shfuqizohen harxhimet e rrugës, apanazha për shkak se kjo do të thotë transfer apo larje parash” – deklaroi Dimitrievski.
Kandidatët presidencialë, sot, në ditën e nëntë të fushatës parazgjedhore, vazhdojnë të prezantojnë programet e tyre nëpër mitingje dhe takime me qytetarët. /tvklan.mk/