Autoritetet neutralizuan autorin i cili po protestonte për luftën në Gaza, punëtorët e fabrikës nuk pësuan asnjë lëndim
Shtatë punëtorë në fabrikën Procter & Gamble në zonën industriale Gebze të cilët u morën peng në Stamboll u shpëtuan pas një kalvari prej nëntë orësh.
Policia hyri në vendin ku mbaheshin pengjet pasi i dyshuari, i cili po protestonte ndaj luftës në Gaza, shkoi në tualet.
Guvernatori lokal Seddar Yavuz tha se pengjet nuk kishin pësuar lëndime. Imazhet në internet treguan të dyshuarin, fytyrën e tij të fshehur me një flamur palestinez, mbante të veshur një jelek eksplozivi dhe armë.
“Forcat tona të sigurisë ndërhynë dhe neutralizuan të dyshuarin,” thuhet në deklaratën e zyrës së guvernatorit. Pengmarrësi hyri në fabrikë mbasditen e së mërkurës për të tërhequr vëmendjen në shenjë proteste ndaj akteve të ushtrisë izraelite në Gaza. Një flamur palestinez ishte pikturuar në hyrje të ndërtesës me një tabelë që thoshte “dyert do të jenë të hapura për Gazën”.
Familjarët e pengjeve u shprehën të zhgënjyer për mungesën e informacionit nga zyrtarët turq apo policia. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është shfaqur kritik i ashpër i Izraelit për numrin e civilëve të vrarë në Gaza. Ai e ka akuzuar shpesh Izraelin për genocid dhe i është referuar Hamasit si luftëtarë të lirisë.
Klan News