Pas transferimit dy ditë më parë të Kyrie Irving nga Brooklyn te Dallas, merkato e NBA ka dhuruar sot të tjera surpriza. Madje orët e fundit në NBA janë konsideruar si të çmendura, pasi janë përfshirë disa nga yjet e basketbollit, duke bërë që beteja për titullin kampion të përfshijë të tjerë ekipe.
Kështu, nga Brooklyn është larguar edhe Kevin Durant. 34-vjeçari do të luajë me Phoenix Suns, ndërkohë që ai do të shoqërohet edhe nga TJ Warren. Në kahun e kundërt, nga Phoenix te Brooklyn, kanë lëvizur Mikal Bridges, Cam Johnson, Jae Crowder si dhe katër zgjedhje të para në draft të viteve 2023, 2025, 2027 e 2029.
Gjithashtu, në këtë transfrim është përfshirë edhe një shkëmbim lojtarësh në draft të vitit 2028. Gjithsesi, transferimi i Kevin Durant te Phoenix e bën këtë ekip favorit në Perëndim, pasi këtu luajnë edhe Kevin Booker e Chris Paul, duke formuar kështu një trio të frikshme.
Surprizat e tjera vijnë nga një shkëmbim që ka përfshirë 3 skuadra. Basketbollisti Russell Westbrook, 34 vjeç, ka lënë Lakers për t’u transferuar tek Utah Jazz. Te skuadra e Lakers rikthehet D’Angelo Russell (26 vjeç), që shoqërohet edhe nga Malik Beasley e Jarred Vanderbilt. Pra, LeBron siguron përforcimet që dëshironte.
E përfshirë në këtë shkëmbim edhe ekipi i Minnesota, që siguron Mike Conley, Nickeil Alexander-Walker dhe 3 zgjedhje në draft në vitet 2024-2026. Ndërsa tek Utah Jazz, përveç Westbrook, do të shkojnë edhe Juan Toscano-Anderson, Damian Jones dhe një zgjedhje e parë në draft të vitit 2027.