Meloni: Kriza në Lampeduza kërkon përgjigje europiane

Ursula von der Leyen vizitoi ishullin ndërsa paraqiti planin 10 pikësh për të ndalur flukset e paligjshme

Shefja e BE-së Ursula von der Leyen, komisionerja europiane për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbërritën në ishullin Lampedusa mes tensioneve në rritje për numrin rekord të emigrantëve të ardhur aty.

Banorët bllokuan autokolonën në rrugën nga aeroporti deri në qendrën e pritjes së emigrantëve në Imbriacola, duke kërkuar një zgjidhje për krizën.  Në skelën e Favaloros ku emigrantët nxirren në breg, dy politikanet panë disa nga varkat e vogla të braktisura prej druri dhe metali të siguruara nga kontrabandistët.

Përballë krizës, Meloni sërish bëri thirrje për një bllokadë detare ndaj Afrikës së Veriut për të parandaluar ardhjet e emigrantëve.

“Jemi përballë një krize që nëse nuk punojmë të gjithë së bashku, do të goditen të parët shtetet kufitare dhe pastaj të gjithë të tjerët. Është një problem që përfshin të gjithë dhe duhet të adresohet nga të gjithë. Vazhdoj të them se përballë flukseve nuk do ta zgjidhim asnjëherë problemin duke folur. E vetmja mënyrë për të adresuar seriozisht problemin është ndalimi i ardhjeve të paligjshme. Për migracionin ilegal, ne kemi nevojë për zgjidhje serioze, komplekse, afatgjata që të gjithë të punojnë në të njëjtin drejtim dhe nuk do të kishte kuptim që një palë të angazhohej për të gjetur zgjidhje dhe një palë tjetër të angazhohej për t’i çmontuar ato për arsye ideologjike.”

Mes të tjerash kryeministrja italiane u shpreh se në Këshillin e Ministrave do të kërkojë zgjatjen e  paraburgimit me qëllim riatdhesimin e atyre që mbërrijnë në mënyrë të parregullt në Itali si dhe kërkoi angazhimin e OKB-së për t’iu përgjigjur krizës. Nga ana tjetër presidentja e KE-së paraqiti planin e koordinuar me 10 pika për krizën e emigracionit të paligjshëm.

“Emigracioni i paligjshëm është një sfidë evropiane që kërkon një përgjigje evropiane. Plani prej 10 pikash përfshin një mision të ri të BE-së në Mesdhe, riatdhesime më të shpejta të njerëzve, kërkesat për azil të të cilëve janë refuzuar dhe korridore humanitare për mbërritjet e ligjshme. Ne do të vendosim se kush do të arrijë në Evropë dhe jo trafikantët.”

Kriza po sfidon unitetin brenda BE-së dhe gjithashtu qeverinë e drejtuar nga e djathta ekstreme e Melonit. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini, kreu i Ligës populiste, të krahut të djathtë, ka sfiduar efikasitetin e një marrëveshjeje prej 110 milionë euro BE-Tunizi që kishte për qëllim të ndalonte ardhjet në këmbim të ndihmës ekonomike.  Shumica e emigrantëve që mbërritën këtë javë u nisën nga Tunizia. Numri i emigrantëve që bëjnë udhëtimin e rrezikshëm drejt Italisë është dyfishuar dhe po i afrohet rekordit të vitit 2016.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share